Dauti për anketën e IRI-t: Gruevskin e rehabilitoi PSP-ja!

(Nga kolumna e Daut Dautit botuar në gazetën “Koha”)

Ah, kjo anketa e fundit e IRI-t! Paradoks pas paradoksi. Me rezultate të çuditshme dhe me metodologji habitëse. Shumëkush shikon konspiracion. Çfarë mesazhi dëshiron të japë IRI kur në anketë ka futur një politikan jo aktiv? Për më tepër, i dënuar. Nga anketuesi lexova një sqarim se përveç politikanëve janë kyçur edhe dy ish-kryeministra. Tash na bënë të kthjellim mendjen nëse në anketat e mëparshme kanë qenë të kyçur. Bëhet jo pak argëtuese në përplasjet politike e mediale, sepse dashakeqtë i thanë Mickovskit çfarë lideri je ti, kur ai që s’është lider ka më shumë përkrahje se ti! Kjo të shtyn komplekset sa ta braktisësh timonin e partisë. Edhe një kompleks IRI ia shkaktoi një lideri tjetër. Taravari nuk është kurrkund në anketë, e Sela që është, ka muaj që s’është lider…! Më duket se diku u sqarua se në atë kohë lider ka qenë Sela. Ec e merre vesh. Boshllëk metodologjik, sigurisht. Paradoksi tjetër që i sqaron këto dubioza, është se ndryshe nga një anketë paraprake para disa ditësh, kjo e IRI-it ishte realizuar në fund të verës, kurse shpallet në fund të vjeshtës. Tre muaj vonesë, paksa tepër!
Duke e lënë anësh pse-në për kyçjen e Gruevskit në anketë, pyetja është si është e mundur pas të gjithave, populli ende t’i besojë atij?! Atij që gëzohej që dikujt i ishin lagur pantallonat duke qenë në zyrë te ai, që përmendte do përqindje “Mile, mos është shumë?!”, ai për të cilin s’kemi bukë e do të hajë çokollatë… Ai, tash na rishfaqet më i miri!
Por, do të del ashtu nëse ata që duhej t’ia zbulonin e dëshmonin bëmat, të mos bëheshin si ai. Ata dhe Ato që bënin poza e grimasa artistike tek flisnin në konferenca shtypi për Gruevskin dhe kompaninë, që i futën vetë gishtat në mjaltë. Ato/a, që për të luftuar Gruevskin me kompani, merrnin para nga shteti sa të donin dhe askujt s’i jepnin llogari, ato/a që me Bokin kishin bërë alleshvereshe…Rezultati: çfarë i dallon Këta/to të PSP-së tashmë të devalvuar, nga Gruevski? Të paktën Gruevskime shokët e tij grabiste duke ndërtuar diçka. Disa të tjerë këtë e bëjnë pa ndërtuar fare, ose duke prishur, si atë anijen e famshme pranë Holidej In-it Ky mund të jetë një shpjegim se përse Gruvski i pari në anketë?
Shpjegimi tjetër, do të ishte se njerëzit duan ëndrra të bukura. Gruevski u është dukur se ua “gjeti” origjinën antike që i bënte të lumtur. Pastaj përveçse ua zbuloi, edhe dinte t’ua mbrojë. Pastaj, për nacionalizëm që i deh shpirtrat, s’e ka shokun. Gjithë këto në dritën e manipulimeve të reja politike për gjoja shitjen e interesave kombëtare në raport me Bullgarinë. S’kanë faj ata që e kanë votuar Gruevskin. Ai arriti t’i bindë me ëndrrallat që ua shiste se partia e tij nga një parti me sentiment pro-bullgar, çfarë e identifikonin në fillim, bëri salto mortale për t’u shitur si më anti-bullgarja. Unë kaq di, kaq mund të them rreth këtij fenomeni. Mund të ketë dhe shpjegime.