Qasja e Lëvizjes BESA që ndryshimet kushtetuese t’i kushtëzojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare, është e gabuar dhe e çon ujin në pusin e opozitës maqedonase, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre nëse shumica parlamentare bien dakord që ndryshimet kushtetuese të miratohen, atëherë Lëvizja BESA do të mbetet në “prehrin” e Levicës dhe Dimitar Apasievit.
“Nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen vetëm për numrat e Lëvizjes Besa, atëherë përgjegjësia do të bie mbi të, ndërsa votuesi do ta japë verdiktin në zgjedhjet e radhës. Çfarë do të ndodhë nëse shumica parlamentare dhe opozita bien dakord që të votohen ndryshimet kushtetuese, me komplet deputetët e VMRO-DPMNE-së ose një pjesë të deputetëve të saj? Atëherë Lëvizja Besa mund të mbetet vetëm me Levicën. Partitë politike mund të kenë propozime të tyre për ndryshimet kushtetuese, por jo të kushtëzojnë me zgjedhje. Kjo qasje e Lëvizjes BESA më së shumti i shkon për shtati opozitës maqedonase se sa ndryshimeve kushtetuese. Kjo qasje bie ndesh edhe me moton e shqiptarëve se të gjithë do të bashkohen nën ombrellën e BE-së. Zgjedhjet e parakohshme mbahen atëherë kur shumica parlamentare vendosë të mbahen”, deklaroi analisti politik Albert Musliu për Indeks.mk
Në anën tjetër, analistit politik Petar Arsovski thotë se ketë veprim defakto e Bilall Kasami mbetet pa aleatë në skenën politike në vend, andaj edhe “porta” e vetme për aleancë i mbetet VMRO-DPMNE dhe Levica.
“Ky veprim me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese do t’i kushtojë në rejting Lëvizjes BESA. Është shumë e vështirë për cilëndo parti politike shqiptare që të rreshtohet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht kur dihet se faktori ndërkombëtar angazhohet që këto ndryshime kushtetuese të realizohen. Nuk di se sa mund të qëndrojë në këtë qëndrim BESA, pasi që elektorati shqiptar do të reagojë ashpër ndaj cilësdo parti e cila do të bllokonte rrugëtimin euro-integrues të vendit”, deklaroi Arsovski për Indeks.mk
Sipas tij, këto deklarata nga Lëvizja BESA vijnë si pasojë e bisedimeve të Aleancës për Shqiptarët për hyrjen eventuale në qeveri.
“Hyrja e mundshme e ASH-së në Qeveri, veçanërisht pas kongresit partiak të kësaj partie, defakto e lë Lëvizjen BESA vetëm. Ajo për momentin nuk ka aleatë tjetër përveç se VMRO-DPMNE-së dhe Levicës”, nënvizoi Arsovski.
Ai thotë se ekziston një lloj frike te Lëvizjen BESA se mund të mbeten partia e fundit e cila eventualisht mund ti bashkëngjitet shumicës parlamentare.
“Me këtë veprim Besa dëshiron ta rrisë çmimin politik. Nuk besoj se cilado parti politike shqiptare që dëshiron të etablohet në elektoratin shqiptar si serioze, mund të rreshtohet kundër integrimeve evropiane të vendit. Kjo është e pamundur”, potencoi ai.(Indeks.mk)