Polarizimi i shoqërisë është tejet i dëmshëm për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve evropiane, thotë Petrit Saraçini, aktivist për të drejtat e njeriut në një prononcim për Indeks.mk
Sipas tij. faktorë kryesorë që ndikojnë në ndarjet mes qytetarëve janë disa parti politike, të cilat me sa duket janë në bashkëveprim me politikën destabilizuese ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që po e ushtron Federata Ruse.
“Këto veprime politike karakterizohen si një luftë hibride e cila përdor dezinformatat dhe propagandën e zezë për të rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet dhe shtetin në përgjithësi. Për fat të keq, shohim se këto veprime kanë ndikim dhe efekt të konsiderueshëm në shoqërinë tonë, dhe për të adresuar ato efekte duhet një veprim mbarëshoqëror, efikasitet i madh i institucioneve përgjegjëse dhe bashkëpunim më i madh mes shtetit, faktorëve politikë, sektorit joqeveritar dhe mediave. Nevojitet më shumë përgjegjësi dhe masa konkrete për të parandaluar këto veprime që rrezikojnë euro-integrimet”, deklaroi Saraçini për Indeks.mk
Ai theksoi se është e natyrshme për çdo opozitë që të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe të tentojë të vijë në pushtet për të zbatuar politikën për të cilën avokon. Por, shton se: zgjedhjet nuk varen nga dëshirat, por nga shifrat dhe shumica në Parlament.
“Momentalisht opozita nuk ka shifrat e duhura në Parlament për të arritur qëllimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se vendi para disa viteve ishte në një cikël vicioz të zgjedhjeve të parakohshme që ndodhnin shpesh, dhe qytetarët janë paksa të lodhur nga kjo situatë e fushatës permanente parazgjedhore që po zgjat me vite. Nuk mund të themi me siguri se edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e paparamendueshme për vitin e ardhshëm, mirëpo kjo do të varet më shume nga kalkulimet e partive në pushtet, e jo aq shumë nga opozita. Nga ajo që deklarojnë partitë në pushtet, ato janë të vendosura tani për tani që zgjedhjet të mbahen të rregullta, në vitin 2024. Po nuk ndryshuan mendimin, ato edhe do të mbahen në terminin e rregullt”, nënvizoi Saraçini.
Lëvizja BESA e Bilall Kasamit mbetet partia e vetme politike nga blloku shqiptar që kushtëzon ndryshimet kushtetuese me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kërkesa e Bilal Kasamit, nuk u mbështet as nga Aleanca për Shqiptarët në opozitë. Nga ASH kanë deklaruar se nuk janë kundër zgjedhjeve, por procesi i integrimit evropian duhet të jetë prioritet dhe të mos përdoret për pikë politike.
Nga blloku i partive politike maqedonase në një vijë me Bilall Kasamin dhe Lëvizjen BESA janë Hristijan Mickoksi dhe VMRO-DPMNE, si dhe Dimitar Apasievi dhe LEVICA.
Në anën tjetër, faktori ndërkombëtar, Shtet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Franca, Gjermani dhe përfaqësues tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që ndryshimet kushtetuese të miratohen sa më parë të jetë e mundur me qëllimin e vetëm që Maqedonia e Veriut mos pengohet në rrugëtimin e saj drejt BE-së.