Selmani: “Fronti” BESA, VMRO dhe LEVICA, me sjellje destruktive dhe kundër interesave shtetërore

Duke folur për kushtëzimin e Besës, Levicës dhe VMRO-së dhe tentimin e tyre për të bllokuar ndryshimet kushtetuese, profesori universitarë, Bashkim Selmani, në një prononcim për indeks.mk ka thënë se veprimet e Levicës dhe VMRO-së gjithmonë kanë pasur qëndrim negativ, si ndaj proceseve demokratike , kundërshtonin aderimin e vendit në NATO, kundërshtonin gjuhën shqipe dhe interesin shqiptar e shtetëror. Sipas tij, tentimi i fundit për të bllokuar këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin, është sjellje destruktive dhe në kundërshtim me interesat shtetërore.

“Aktualisht me “frontin” Levica, Besa dhe VMRO, të cilët kërkojnë zgjedhje në një moment kaq të rëndësishëm për vendin shkakton akoma më shumë pasiguri dhe kundërshtim të interesit shtetëror, sepse janë të interesuara për nacionalizëm, destruktivitet, vjedhje të shtetit dhe jo për interesin e qytetarëve”, nënvizon Selmani, duke shtuar se këto parti nuk do te kenë suksese pasi rrethanat në rajon kanë tjetër prioritet.

Duke folur për bashkimin e Besës me VMRO-në dhe Levicën, Selmani thotë se shqiptarët kanë nevojë për opozite të mirëfilltë konsensuale, gjë të cilën nuk po e bën Lëvizja Besa.

“Tash nga Lëvizja Besa nuk kemi ndonjë platformë apo qëndrim se si do të veprojë përfundimisht edhe nëse i bashkëngjitet opozitës maqedonase për interesin europian. Mendojmë se z.Kasami tanimë ka përvojë politike dhe do ta shfrytëzojë kushtin që 20% përqindeshi të zevendësohet me termin shqiptar”, shtoi ai.

Në fund profesori thotë se të gjitha partitë shqiptare duhet të bashkohen për këtë qëndrim, sepse sipas tij, është e padrejtë që bullgarët të jenë pjesë nacionale kushtetuese e shqiptaret të identifikohen me përqindje./indeks.mk/