Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian shprehën shqetësimin e tyre për përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët kërkohet të ndërmerren veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve.
“Iu bëjmë thirrje palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet apo kërcënimet”.
Uashingtoni dhe Brukseli duan te sigurohen se serbët që protestojnë në mënyrë paqësore nuk do të burgosen.
“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta apo barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, shteti i së drejtës duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.”
Kosova dhe Serbia nxiten që të bashkëpunojnë për një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.
SHBA dhe BE kanë nënvizuar gjithashtu se të gjitha detyrimet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesa. Më herët edhe KFOR iu ka bërë thirrje të dy vendeve të dialogojnë për të zbutur tensionet e krijuara në veri te Kosovës.