Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI ka vdekur në Vatikan në moshën 95-vjeçare. Ai ishte larguar nga drejtimi i kishës pothuajse një dekadë më parë për shkak të problemeve shëndetësore.
Benedikti XVI udhëhoqi Kishën Katolike për pothuajse tetë vjet, deri më 2013, kur u bë Papa i parë që dha dorëheqje që nga viti 1415, kur ishte dorëhequr Gregori XII.
Benedikti i kaloi vitet e tij të fundit në Manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan.
Pasardhësi i tij, Papa Françsku e kishte vizituar shpesh atë në rezidencën e tij.
Vatikani, përmes një deklarate tha: “Me pikëllim ju njoftojmë se Papa Emertius, Benedikti XVI vdiq sot në orën 09:34 në Manastirin Mater Ecclesia në Vatikan. Detajet e tjera do të bëhen publike më vonë”.
Edhe pse ish-kreu i Kishës Katolike që një kohë nuk gëzonte shëndet të mirë, Vatikani tha se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar për shkak të moshës së shtyrë.
Të mërkurën, Papa Françesku, gjatë meshës në Vatikan, kërkoi që “të bëjmë një lutje të posaçme për Papën Emeritus Benedikt”, që tha se ishte shumë i sëmurë.
I lindur në Gjermani me emrin Joseph Ratzinger, Benedikti më 2005, në moshën 78-vjeçare u bë papa më i vjetër që u zgjodh në krye të Vatikanit.
Shumicën e kohës sa ishte në udhëheqje, Kisha Katolike u përball me pretendime ligjore dhe raporte zyrtare për abuzimin e fëmijëve për dekada me radhë nga priftërinjtë.
Më herët gjatë këtij viti, Benedikti pranoi se kishte bërë gabime gjatë trajtimit të rasteve të abuzimit kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut gjatë viteve 1977-1982./rel