Vrasja e 31 vjeçarit kuksian në Prizren, ja çka thotë avokati i “Kobrës”


Dibran Hoxhaj, sot është shoqëruar në polici si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, në Prizren. Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra” është mbrojtur në heshtje.

Avokati i tij, Nexhat Elshani për Reporteri ka thënë se klienti i tij është deklaruar i pafajshëm, dhe se sipas tij pritet që të dërgohet në paraburgim.

“Është mbrojtur në heshtje. Klienti im deklarohet i pafajshëm dhe nesër prokuroria besoj që procedon propozimin për paraburgim”, tha Elshani.

Dibran Hoxhaj po dyshohet se ka shtënë në drejtim të viktimës derisa sa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Cobra City”.

Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili tha se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D.H. me armë zjarri.“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës Audi, dyshohet se shtetasi D.H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, ka deklaruar kryeprokurori Shala.

Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Cobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

Në një prononcim për Reporteri, edhe prokurorja e rastit Nazan Shero tha se një shumë prej 400 euro është përmendur nga dëshmitarët si motiv i vrasjes.

Por, siç tha Shero se sa janë të vërteta këto deklarata, mbetet të shihet tutje, duke qenë se rasti është duke u hetuar.

“Kallëzimin penal nuk e kom marrë, jemi në zhvillim të hetimit, jemi në mbledhje të provave. Është përmendur shuma prej 400 eurove nga dëshmitarët, por se çka ka të vërteta këtu pritet të kuptohet më vonë kur të kryhen hetimet”, tha prokuroria e rastit, Nazan Shero për Gazetën Online Reporteri.net.

Policia gjatë ditës ka intervistuar gjashtë persona si të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Këtë e ka konfirmuar për Reporteri, Shaqir Bytyqi i cili tha se për hetimet e mëtejme do të merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë.

“Gjashtë persona janë në përfundim e sipër të intervistimit të tyre në stacioni policor në Prizren. Me vendim të prokurorit të gjashtë ndalohen për 48 orë në ndalim policor. Për hetime të mëtejme merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi.