Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë kanë marrë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) përgjigjen ndaj kërkesës për dërgimin në Kosovë të deri 1.000 ushtarëve dhe policëve nga Serbia. Përgjigjja është marrë nga përfaqësuesit e Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes teknike ushtarake, të premten, më 6 janar, në pikën kufitare Merdar, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Kjo ministri nuk ka specifikuar se çfarë i është përgjigjur KFOR-i ndaj kërkesës së Serbisë, por ka thënë se dokumenti i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ushtria e Serbisë, natën mes 15 dhe 16 dhjetorit të vitit të kaluar, i ka dërguar një e-mail zyrës së KFOR-it, me kërkesë për dërgimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Serbia ka marrë vendimin lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë si reagim ndaj, siç pretendojnë autoritetet në Beograd, pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Beogradi zyrtar, në adresimin e kësaj kërkese, i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999. Dërgimi i kërkesës ndodhi në ditët kur u shtuan tensionet në veri të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, gjë që Beogradi zyrtar e refuzon. Përfaqësues të komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë. Më 8 dhjetor, autoritetet e Kosovës vendosën të dërgojnë forcat e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë popullatën shumicë. Më pas, më 10 dhjetor, grupe të serbëve bllokuan rrugët duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u vendosën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin serb Dejan Pantiq, me dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje lokale në veri të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Heqja e barrikadave filloi më 29 dhjetor të vitit të kaluar dhe më 5 janar KFOR-i largoi automjetet e fundit që bllokonin rrugët në veri të Kosovës.