Lodrat terapeutike ndihmojnë fëmijët ukrainas për stresin nga lufta

Rreth 2 milionë fëmijë ukrainas janë zhvendosur për shkak të luftës. Si për ata që u shtrënguan të largohen, ashtu edhe për ata që ende gjenden në Ukrainë, lufta mund të ketë pasoja të rënda psikologjike. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, një mjet i thjeshtë terapeutik po i ndihmon disa nga këta fëmijë.

 

 

Anya është nëntë vjeçe dhe që nga dita e parë e fillimit të sulmit të Rusisë në Ukrainë, ka qëndruar në Kiev së bashku me prindërit e saj, të cilët nuk dëshirojnë ta bëjnë publik mbiemrin e familjes.

 

 

Bombardimet dhe sirenat e alarmit janë bërë pjesë e përditshme e jetës së saj. “Kemi bllokuar dritaret, pasi dy raketa ranë rreth 600 metra pranë godinës së apartamentit tonë”, thotë Olena, nëna e Anyas. Ajo thotë se e shikon se si lufta po ndikon tek Anya dhe dy motrat e saj. “U bë disi e tërhequr, ndonjëherë agresive dhe e tensionuar. Isha vazhdimisht e shqetësuar se mos përfundonte me një krizë nervore”, thotë Olena. Por, Anya por merr ndihmë nga Hibuki, një fjalë që në gjuhën hebraike do të thotë “përqafime”. Hibuki është një lodër terapeutike që u shpik në Izrael në vitin 2006, për t’i ndihmuar fëmijët të përballonin stresin gjatë luftës së Libanit.

 

 

Në prill 2022, psikologët ukrainas filluan të jepnin lodrat Hibuki për disa nga fëmijët e traumatizuar të Ukrainës. Familja e Anyas ishte ndër të parat në Kiev. “Pas tre ose katër javësh pamë rezultate të dukshme. Anya filloi të komunikojë sërish me fëmijët; u bë më miqësore, shumë më e qetë”, thotë nëna e saj. Victoria Nazarevich ishte një nga psikologet e para profesioniste në Ukrainë që filloi të përdorë këtë formë terapie gjatë punës së saj me fëmijët. “Kaq shumë fëmijë janë të traumatizuar… Humbën shtëpitë e tyre; përjetojnë sulme të përditshme me raketa. Po përpiqeshim të gjenim diçka që do t’i ndihmonte të përballeshin me traumën – dhe gjetëm këtë lodër që fëmijët mund ta përqafonin dhe me të cilën mund të ndërvepronin”, thotë zonja Nazarevich.

 

 

Terapistja nëpërmjet artit Marina Cherkashina thotë se Hibuki i ndihmon fëmijët të përballen me stresin, gjë që është shumë më e shëndetshme se mbatja e stresit përbrenda. Putrat e Hibukit u ofrojnë fëmijëve gjithnjë mundësinë për një përqafim shumë të nevojshëm. “E quajmë Qeni Përqafues! Kemi fëmijë këtu që nuk janë larguar nga Kievi që nga fillimi i luftës; ata ishin fëmijët e parë të cilëve iu dha Hibuki”, thotë zonja Cherkashina. Deri më tani, rreth 5 mijë fëmijë ukrainas kanë patur mundësinë të përjetojnë efektin terapeutik të Hibukit, falë organizatës joqeveritare amerikane, “United Help Ukraine”. Kjo organizatë financon kurse trajnimi për psikologët, ku shpjegohet se si të përdorin Hibukin gjatë punës së tyre. “Përpiqem që të dukem sikur jam mirë. Por brenda vetes, kam panik”, thotë Pavlo, një djalë 8-vjeçar nga Kievi.

 

 

Nëna e tij, Maryana, e cila shërben në ushtrinë ukrainase, thotë se Hibuki e ndihmoi shumë djalin e saj. “Ai ndryshoi krejtësisht. Arritëm ta shohim fëmijën nga këndvështrime krejtësisht të reja. Është më i hapur tani!”, thotë ajo. Psikologët ukrainas kanë krijuar gjithashtu edhe një iriq lodër që kapet rreth dorës së fëmijës. Ata po përdorin edhe terapinë nëpërmjet artit për t’i ndihmuar fëmijët të përballen me traumën, ndërkohë që Hibuki i pret aty pranë.