Bilall, populli thotë “delja që ndahet nga tufa e han ujku!”

– Është veprim i pashembullt, që si mysafir t’i përzihet nikoqirit kë të ftojë e kë jo, që bie ndesh me traditën shqiptare! Por prapa pretekstit, qëndron frika se mos të rreshtohet në agjendën evropiane, pasi kjo nuk do t’u pëlqente partive me të cilat e ka lidhur fatin?!

(Editorial i desk.al)

Demokracia qenka një fenomen i çuditshëm! Në emër të pluralizmit, qenka gjithçka e lejuar. Edhe shkurtpamësia dhe voluntarizmi në dëm të vetëvetes! E logjikshmja duket e palogjikshme dhe anasjelltas. Kjo sipas Bilall Kasamit…

Kryeministri Edi Rama ka ftuar liderët e partive shqiptare në një takim në Tiranë, ndërkaq lideri i Besës sillet sikur dikush t’ia ketë vrarë babën, siç thotë populli, dhe nuk dëshiron të marrë pjesë. Ka disa arsye të supozueshme, por kryesorja është ajo që e tha zëdhënësi i Lëvizjes Besa(citojmë): “Në si Lëvizje Besa nuk kemi asnjë dilemë të vetme tek qëllimi i pastër të kryeministrit të Shqipërisë, për atë që interesohet për situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqetësimi jonë si Lëvizje është tek BDI dhe Ali Ahmeti, tek lojërat dhe hilet e tij sa i përket këtyre takimeve, pasi që çdo herë kur ai ka telashe brenda BDI-së keqpërdor diçka të tillë,..Ne përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit pa e parë të arsyeshme të ulemi me BDI-në dhe Ali Ahmetin në një tryezë”.

Kjo vërtet do një analize “logjike”, kur ashiqare duket se s’ka lidhje me logjikën!

Arsyet për të mos u ulur në “tavolinën” e thirrur nga Rama, qenka BDI-ja. Sepse, ajo bën lojëra dhe hile me “tryezën e partive”. Ta pyesim Faruk Abdiun, që flet në emër të Besës, dhe liderin e tij, ky takim mbahet në Reçicë të Vogël, te selia e BDI-së, i thërritur nga Ali Ahmeti, apo në Tiranë dhe me ftesë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë? Ç’lidhje ka Ali Ahmeti me organizimin e këtij takimi, ku ai, nëse duam të jemi të sinqertë, vetë si lider i partisë më të madhe, është i detyruar të ulet me liderë partish të vogla, si Besa. Por ai nuk e bën problem, sepse pluralizmi politik përbëhet edhe nga laryshia programore e subjektesh, të mëdha e të vogla pa dallim!

Duhet të themi një realitet të madh, se Kasami, është i vogël, që t’ia diktojë Edi Ramës agjendën kush të ulet e kush jo në“sofër”! Dhe është veprim i pashembullt, që si mysafir t’i përzihet nikoqirit kë të ftojë e kë jo!

Në anën tjetër, duhet thënë se “përvojat” e Kasamit me tryeza e “sofra” partish tashmë, nuk janë të pakta, bile ato janë “ekzemplare”. Ai mund të shtiret, por publiku nuk harron se në të kaluarën disa herë është ulur në një tryezë me Ali Ahmetitn, kur takimet i kanë thërritur krerët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së! Athua Bilall Kasami nuk ulet me Ali Ahmetin, vetëm kur takimet thirren nga liderët shqiptarë?! Ndoshta një takim si ky do të duhej ta kishte organizuar Zoran Zaevi që ai të ulet në një tryezë me Ali Ahmetin, Arben Taravarin, Afrim Gashin e Menduh Thaçin? Kërkojmë ndjesë, me Zaevin tash i ka prishur punët, pyetja është pra, nëse Hristijan Mickovski do t’i ftonte liderët, Bilalli do të shkonte pa hezitim, edhe po të ishte Ahmeti aty. Me plotësim “aranzhamni”, pa problem ndoshta edhe pranë Apasievit, sepse besojmë se Mickovski, nuk e le pa e ftuar edhe atë, me të cilin kanë agjendën e përbashkët të zgjedhjeve të parakohshme, e besa, edhe riorientimin e Maqedonisë kah Lindja?!

Ndoshta Kasami është politikan i ri me përvojë, por jo dhe aq i ri në moshë, për të mos ditur se historia e veprimtarisë politike shqiptare pas rënies së komunizmit, është përplot këshillime e koordinime midis subjekteve shqiptare, duke nisur nga ai Këshilli Koordinues që e pat udhëhequr Ibrahim Rugova, në vigjilje të ndryshimeve të mëdha në ish-Jugosllavi. Vendiemt nga ai i këshillim, një kohë të gjatë ishin udhërrëfyese për partite shqiptare, pavarësisht se vepronin në një realitet të ri pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Koordinime ka pasur edhe në ngjarjet dramatike të përshkuara me luftëra. Kurse nga këshillimet e fundit, është ai midis partive politike shqiptare të Maqedonisë në Tiranë, më 2017-tën,  ku dolën disa qëndrime për bashkëveprim, që si rezultat më të madh pati rreshtimin e të gjitha partive shqiptare në ligjin për avancimin e gjuhës shqipe, gjë që pastaj dhe ndodhi.

Koordinimi dhe bashkëveprimi midis partive shqiptare vetëm mund të plotësojë apo pasurojë veprimin e çdo partie, por jo domosdo, nëse ndonjëra sish nuk pajtohet me ato qëndrime. Kasami mund të mos nënshkruajë nëse nuk pajtohet me partitë tjera, nëse ka ndonjë dokument orientues.

Ka një gjë që duket nga qielli, se Kasami mos uljen “bashkë me Ali Ahmetin” e ka pretekst, që të mos bëhet “rob” i vendimeve eventuale lidhur me rreshtimin e eurointegrimeve, për të cilat me ngulm po punojnë edhe Maqedonia edhe Shqipëria, sepse janë në të njëjtin tren. Sigurisht Kasami ka frikë të marrë këso obligimesh, pasi mund të prishet me ata që në Maqedoni kanë orientime të tjera, e me të cilët Kasami dëshiron ta lidhë fatin e tij politik?!

Në fund, na duhet pak të karrikojmë: paramendoni janë ulur liderët e partive në një tryezë me Edi Ramën, kurse Kasami pak më tutje, në një tryezë tjetër, vetëm. Një margjinalizim, i ngjashëm me ata shoferët e “bosave” që nuk mund të ulen bashkë me ta, por hanë dhe pinë në një qoshe restoranti, çka t’u serviret! Një pozicion i tillë hierarkik, është i palogjikshëm, nëse rolin e ke zgjedhur vetë, siç po bën Kasami!

Të përkjotjmë atë fjalën e urtë “delja që ndahet nga kopeja, e han ujku”!