Në një bisedë për MKD.mk, nënkryetari i Lëvizjes Besa, Fatmir Limani, thotë se Besa nuk do të shkojë në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ai ka thënë se qëllimi i takimit të paraparë të liderëve të partive shqiptare në Tiranë është promovimi i Qeverisë së re të Dimitar Kovaçevskit të zgjeruar me një partner tjetër koalicioni dhe shpëtimi i mandatit gati dyvjeçar. “Nuk ulemi në të njëjtën tavolinë me Ahmetin”, thotë Limani.
“Në Kryesinë Qendrore të Besës kemi marrë vendim nëse Ahmeti merr pjesë në mbledhjen e Tiranës që të mos ulemi në të njëjtën tryezë, pra Besa të mos shkojë në Tiranë”, thotë Limani.
Ky vendim i presidencës partiake të Besës, sa i përket strategjisë së funksionimit, nuk devijon nga kahja e vendimeve të deritanishme që janë në një linjë ideologjike me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën anti NATO, anti BE dhe anti vlerave të barazisë dhe demokracisë konsensuale.
Duke e ditur se Kasami fitoi komunën e Tetovës me ndihmën e trupit votues të VMRO-së dhe duke i pasur parasysh takimet e shpeshta publike dhe jopublike me Mickoskin, po bëhet gjithnjë e më i qartë vazaliteti politik i Lëvizjes Besa ndaj partive opozitare maqedonase.