Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi sot se Rusia po mobilizon trupa të reja dhe është e përgatitur të vuajë për t’i shkuar deri në fund qëllimeve të saj brutale në Ukrainë. Gjatë një konference për shtyp, në krah të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, zoti Stoltenberg garantoi mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Po sot presidentja e Komisionin Evropian Von der Leyen njoftoi se Bashkimi do të vendosë sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, për shkak të mbështetjes ushtarake që ky vend i siguron Rusisë
Duke folur në një konferencë shtypi, në krah të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, zoti Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtarëve të aleancës ushtarake dhe BE-së që të përgatiten për një luftë të gjatë.
“Qëllimi ynë është që të forcojmë mbështetjen për Ukrainën. Rusia ka pësuar humbje të mëdha për shkak të ushtarëve të guximshëm, profesionalizmit dhe përkushtimit të forcave të armatosura ukrainase, por ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë. Ajo po mobilizon edhe më shumë trupa, po punon për të siguruar edhe më shumë pajisje e municione dhe po tregon gatishmëri të vuajë, për të vazhduar luftën. Nuk ka asnjë të dhënë që tregon se Presidenti Putin ka ndryshuar qëllimin e përgjithshëm të luftës së tij brutale në Ukrainë, ndaj duhet të jemi të përgatitur për një luftë të gjatë”, tha zoti Stoltenberg.
Presidentja e Komisionin Evropian Von der Leyen paralajmëroi sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, si pjesë e masave të BE-së për të ndëshkuar ato vende që mbështesin Rusinë.
“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj Kremlinit me një regjim sanksionesh të ashpra, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Ne do t’i shtrijmë këto sanksione ndaj atyre që mbështesin ushtarakisht Rusinë, si Bjellorusia apo Irani”, tha ajo.
Si përgjigje ndaj një pyetjeje lidhur me furnizimin e Kievit me tanke luftarake perëndimore, përfshirë ‘Leopard 2’, zonja Von der Leyen tha se ukrainasit duhet “të marrin të gjitha pajisjet e nevojshme ushtarake që u nevojiten”.
“Dhe kjo sigurisht do të thotë, sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, apo dhe lloje të tjera të pajisjeve të avancuara ushtarake për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, sepse ata (ukrainasit) mbrojnë gjithashtu, parimet bazë të Kartës së OKB-së mbi të drejtat themelore e të drejtën ndërkombëtare”.
Zoti Stoltenberg tha se ai mirëpret vendimet e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Francës për të ofruar mjete ushtarake për Ukrainën. Nga ana e tij presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha lufta në Ukrainë ka prodhuar dy pasoja të padëshiruara për Moskën, ka forcuar BE-në dhe NATO-n, dhe i ka afruar edhe më shumë këto organizata me njëra-tjetrën.
Më 24 shkurt të vitit të kaluar Rusia nisi në Ukrainë atë që e quan ‘operacion special ushtarak’, nën justifikimin se ndihej e kërcënuar, si dhe nisur nga nevoja për të mbrojtur popullatën rusishtfolëse në Ukrainë. Kievi dhe aleatët e tij akuzojnë Moskën se nisi një luftë të paprovokuar, me synimin për të pushtuar territore./voa