Analistët: Edhe për SHBA-të ndryshimet kushtetuese janë prioritet

Partneriteti strategjikë i Maqedonisë së Veriut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i fortë dhe i një rëndësie të madhe. Vizita në Shkup e këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Scholl, erdhi në një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut, rajonin dhe Evropën. Ky është kontstatimi i njohësve të zhvillimeve politike në vend pas vizitës së zyrtarit të lartë amerikan në Shkup.

Politikologu Ivo Rangjeloviq thotë se nga vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Shkup doli porosia e qartë për të gjithë ata që frenojnë rrugëtimin e vendit drejt BE-së.

“Politika e Shteteve të Bashkuara në lidhje me amendamentet kushtetuese është e qartë dhe pragmatike: përmbushni atë që keni premtuar. Pra, është e qartë se nëse nuk e ndryshojmë kushtetutën, me vetëdije do të bëhemi frenues të vetvetes në rrugën e integrimit evropian. Prandaj na duhet një konsensus për këtë çështje për të hyrë më lehtë dhe më me besim në negociatat për perspektivën evropiane të shoqërisë sonë”, deklaroi Rangjeloviq për Indeks.mk

Analisti politik Qenan Aliu thotë se vizita e këshilltarit të departamentit amerikan Shole u realizua në momente të krizave shumëdimensioale, si ajo politike, ekonomike e energjetike në rajon. Ai theksoi se një ndër temat e vizitës së tij në Shkup edhe pse nuk u notua mjaftë ishte tema për ndryshimet kushtetuese.

“Politika amerikane edhe një herë ka konfirmuar qëndrimin zyrtar të tyre lidhur me këtë çështje se ndryshimet kushtetuese detyrimisht duhet të ndodhin, që vendi të rrugëtojë më tutje në procesin e integrimit. Por vlerësoj se nuk kanë insistuar në modalitetin se si të ndodhin këto, duke i bërë ndryshimet e pastaj të shkohet në zgjedhje apo të shkohet në zgjedhje dhe pastaj të ndodhin ato. Diplomacia ndërkombëtare zakonisht kurrë nuk shpejton të përcaktojë synimin, por modalitetet e arritjes ia lënë ta menaxhojë establishmenti politik i vendit”, deklaroi Aliu për Indeks.mk

Politika shtetërore, shton ai, duhet të merret vesh përmes dialogut me opozitën se si duhet vepruar.

“Arritja e numrit të votave në Parlament në stilin si ndodhi me ndryshimet lidhur me kontestin me Greqinë, tani duket se është më pak e mundur apo fare e pamundur. Pra, ndryshimet kushtetuese janë imponim nga faktori ndërkombëtar dhe zotim nga ana e qeverisë dhe ky për rrugëtimin e mëtutjeshëm eurointegrues mbetet ‘condicio sine qua non’ – kusht pa të cilin nuk mundet”, nëvizoi Aliu.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në profilin e tij në Facebook në lidhje me takimin me Schole-in ka shkruar se projektet dhe aktivitetet në kuadër të Dialogut Strategjik janë bazë solide për forcimin dhe avancimin e mëtejmë të partneritetit strategjik të lidhjeve dypalëshe.

Qëllimi i vizitës së Schole-it në Ballkanin Perëndimor, siç ishte paralajmëruar më parë nga Departamenti i Shtetit, është që të theksohet përkushtimin i përhershëm i Shteteve të Bashkuara për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, ditë më parë deklaroi se se SHBA-ja ka një plan për të riafirmuar prioritetet e përbashkëta si lufta kundër korrupsionit dhe se do të mbetet prioritet për Uashingtonin.

Ageler theksoi se ky do të jetë një vit shumë intensiv dhe, siç tha, këshilltari Schole me vizitën e tij do të konfirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut./Indeks.mk/