Dikur vetë “orientohej” nga Tirana, sot Kasami te Popetrevski jep mesazhe antievropiane!

Kryetari i Lëvizjes BESA edhe pse refuzoi të ulet në një tryezë të përbashkët me të gjithë liderët e partive politike shqiptare, bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, për të përçuar zërin e unitetit se shqiptarët janë bashkë në synimin e tyre për të realizuar ëndrrën evropiane dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve nën ombrellën e BE-së, ai në vend të këtyre mesazheve shumë domethënëse në plan të brendshëm dhe të jashtëm shkon dhe jep mesazhe kundër politikave evropiane të gjithë spektrit shqiptar në rajon te Vasko Popetrevski në 360 shkallë, shkruan Indeks.mk

Ndoshta, Bilall Kasami ka menduar se mirë është të shkojë në emisioni 360 shkallë edhe për shkak të ndryshimeve në qëndrimet e tij për sa i përket tryezës së partive politike shqiptare. Sa për të sjellë ne vëmendjen e opinionit, Bilall Kasamin e qëndrimeve të dyfishta dhe antagoniste, po u rikujtojmë “Platformën e Tiranës” të vitit 2017.

Në vitin 2017 nga goja e këtij liderit të “madh” në vokabular, por të vogël para syve të qytetarëve dhe shqiptarëve, si “dragua” nxirrte zjarr prej goje se ai është ideatori i “Platformës së Tiranës.” Madje nëse ju kujtohet, mu për shkak të tij të gjithë liderët politikë shqiptarë, edhe pse të gjithë përveç tij kishin rënë dakord se do të takohen në Shkup, u takuan në Tiranë.

Tani, lere që refuzoi të shkojë në Tiranë, ai shkon te Vasko Popetrevski për ta kontaminuar një përpjekje fisnike të kryeministrit shqiptar Edi Rama për të përçuar një zë unitetit dhe kursi të pa devijuar politik shqiptar, por jo vetëm edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. A thua Kasami do t’ua tregojë miqve tanë ndërkombëtarë një rrugë tjetër, e cila shpie kah Moska dhe Putini?!

Kjo arrogancë e Bilall Kasamit ndaj shqiptarëve bie ndesh edhe me vet firmën e tij të hedhur në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në vitin 2017. Në deklaratë në të cilën qëndron nënshkrimi i Kasamit mes tjerash thuhet: “Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut angazhohemi për ngritjen e statusit të shqiptarëve …”.

Një tjetër zotim apo “besë” që ka dhënë Bilall Kasami para 7 milion shqiptarëve e që e shkel me dy këmbë me refuzimin e takimit të liderëve te kryeministri Edi Rama është mos refuzimi i iniciativa që bashkojnë partitë shqiptare në një tryezë.

Në “Kontratën” e nënshkruar në vitin 2017, në prezencë të kryeministrit Rama thuhet: “Tryeza e partive shqiptare parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare”./Indeks.mk/