Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Argjentinës për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe shkelje të lojës së ndershme në finalen e Kampionatit Botëror.
FIFA citoi rregullat e saj mediale dhe të marketingut për nisjen e rastit, pas festës së egër të lojtarëve të Argjentinës, pas fitimit të titullit, në zonën për media.
Në finalen e Kampionatit Botëror, Argjentina mundi Francën me penallti në stadiumin Lusail të Katarit.
Rreth tre orë më vonë, lojtarët e udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi vrapuan dhe kënduan nëpër zonën e dedikuar për intervista zyrtare dhe dëmtuan muret e dobëta ndarëse dhe nuk u ndalën për të komunikuar me mediat ndërkombëtare.
Akuzat disiplinore përfshijnë “sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme”. n nuk i referohen sjelljes së portierit argjentinas Emiliano Martinez, i cili, në fushë, tundi në mënyrë të papërshtatshme trofeun e fituar për portierin më të mirë në Kampionatin Botëror.
FIFA nuk ka shpallur një kalendar lidhur me çështjen disiplinore të Argjentinës.
Ndërkaq, lidhur me rastet tjera, FIFA gjobiti kombëtaret e Serbisë, Meksikës dhe Ekuadorit për shkak të sjelljes së tifozëve në Kampionatin Botëror.
Serbia u gjobit me 50 mijë franga zvicerane për thirrjet e tifozëve në ndeshjen me Zvicrën, ku disa lojtarë zviceranë u ofenduan në baza kombëtare, duke aluduar për origjinën e tyre shqiptare.
FIFA gjobiti Meksikën me 100,000 franga zvicerane për thirrjet kundër homoseksualëve, ndërsa Ekuadori u gjobit me 20,000 për fyerjet në adresë të Kilit./rel