Ky shtet sapo konfirmoi qe ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës


Kryediplomati i Togos konfirmoi sot tërheqjen e njohjes së Kosovës, por më 2014 e kishte pranuar atë

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey konfirmoi sot se ky shtet ka tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës.

I njëjti, tha se ky është një vendim definitiv, pas një takimi me kryediplomatin serb, Ivica Daçiq.

“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv.” – ka thënë ai.

Ai shtoi se 54 shtetet afrikane përbënin një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së, duke u ankuar se diplomacia serbe për një moment ishte larguar nga Afrika për t’u rikthyer sërish përmes Ivica Daçiq.

Por Radio Evropa e Lirë raporton se pikërisht ky ministër, kishte konfirmuar në vitin 2014 njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

I njëjti, bashkë me kryediplomatin e atëhershëm, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për formimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.