“Dikujt po i pengon rritja e LDK-së”, Zemaj deklarohet rreth planit për atentat ndaj tij, Abdixhikut dhe të tjerëve


Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, është deklaruar lidhur me planin për atentat ndaj tij, kryetarit Abdixhiku dhe deputetëve të tjerë të kësaj partie.

Teksa foli për motivin për atentat, Zemaj tha se ndoshta dikuj po i pengon fakti se Lidhja Demokratike e Kosovës është në rritje e sipër.

“Dikuj i është pengesë edhe rritja e LDK’së. Është pengesë edhe e ardhmja, në kuptimin që potencialisht, edhe ne besojmë se do të udhëheqim me Republikën e Kosovës. Sigurisht, ndonjë mendësi e verbër, idioteske, kriminale, i ka pengue ose i pengon ky sukses, në kuptimin elektoral por edhe në kuptimin e përkrahjes popullore që tash veç është në rritje për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, deklaroi Zemaj në Kanal 10.

I pyetur se a po rikthehen përpjekjet për eliminim të kundërshtarëve politikë në Kosovë, Zemaj tha se ky lajm deri diku po e dëshmon një gjë të tillë.

Ai tha se ekziston një urrejtje ideologjike ndaj LDK’së.

“Nuk është rikthim në kuptimin, ndoshta, si strukturor, por në kuptimin ideologjik vazhdon një urrejtje patologjike ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gjithmonë ndaj figurave që potencialisht shihen si udhëheqës”, tha ai.

Zemaj konfirmoi se kryetari Abdixhiku është në kontakt me partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar në identifikimin e planifikuesve të atentatit.

“Na është konfirmu për tentim atentat. Deri më tani këto janë që i dimë edhe ne. Më shumë është Policia por edhe partnerët tjerë nderkombëtare që kanë marrë këtë informacion dhe janë në kontakt me kryetarin Abdixhiku e koleget tjerë, shpresojmë t’i identifikojnë… në momentin kur është njoftu Policia e Kosovës, gjithçka është në duart e tyre. Ne jemi zyrtarë e përfaqësues të qytetarëve. Duhet të presim ata se çka na ofrojnë e çka do të hetojnë të kësaj mendësie të ulët para këtij planifikimi”.

“Gjithçka ka qenë në koordinim me policinë. Brenda 24 orëve ka dalë si informacion dhe u bë publike në këtë fazë të hershme. Motivet janë politike nga ajo që është thënë”, tha tutje deputeti i LDK’së.

Zemaj po ashtu foli se si ky lajm ka shkaktuar shqetësim jo vetëm për ta dhe familjarët, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Është ngritur shqetësim i madh për të gjithë. Kemi marrë mijëra mesazhe. Ne duhet te besojmë në organet tona pavarësisht të kaluarës së hidhur. Nuk është mirë që dëgjojmë këso lajmesh, por shpresojmë qe organet do t’i trajtonë këto informacione me kujdes te veçantë”.