Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 Janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova është lindur më 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 Janar 1945 komunistët jugosllavë i pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova, shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-’77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai u doktorua në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve ‘Bota e re’ dhe në revistën shkencore ‘Dituria’ (1971-’72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën ‘Fjala’. Për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës ‘Gjurmime albanologjike’ të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është marrë që nga fillimi i viteve ’60.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 Dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 Shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të Shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 Maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në Mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në Mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004. Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 Janar 2006 në Prishtinë dhe është varrosur në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.