Qëllimi madhor, Europa, kërkon bashkim, të shlyhen dallimet dhe mëritë

Në këtë kontekst, më së paku duhet të kenë hamendësime partitë shqiptare, pavarësisht nëse janë në pushtet ose opozitë

(Editorial desk.al)

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe lideri i saj Ali Ahmeti, nisën këto ditë një fushatë bashkëbisedimi me qytetarët e Gostivarit nën moton “Bashkë për Evropë”.

Pikërisht nga Gostivari, fryn edhe një erë tjetër “e lehtë” por e ngrohtë, që po ashtu çon nga Evropa: kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, idenë për bashkëngjitje idesë evropianë përmes ekzekutivit, e quan ide që duhet shqyrtuar. Zërat për hyrjen në qeveri dhe për ta përforcuar opsionin pro-evropian, kurrë nuk kanë qenë më të fortë. Rrëmuja që shkaktoi paralajmërimi, futi jo pak shqetësim në opozitën maqedonase, saqë në një komunikim midis liderit të VMRO-së dhe atij të ASH-së, ky u fundit iu desh t’ia sqarojë kolegut të tij se jo një, por më shumë ambasada kërkojnë një gjë të tillë.

Pra, gjërat vijnë duke marrë kahen që forcat pro-evropiane kaherë janë orientuar, vetëmse tash shtohen edhe më shumë gjasat për sukses. Rreshtimi në një ide dhe me një qëllim madhor, edhe një herë mund të dëshmojë se edhe në pluralizëm politik, madje dhe në përplasjet më të ashpra midis disa oponentëve, mund të gjendet pika bashkuese për t’i harruar dallimet. Kjo po ndodh në këtë moment, si një shkallë ndërgjegjësimi, kur në plan të parë duhet të vihen interesat e shtetit dhe ato kombëtare, nëse duam t’u japim ngjyrim etnik.

Po, pikërisht ashtu, sepse, interesi shtetëror për eurointegrim, i lartë në hierarkinë e interesave dekada me radhë që e kanë pëkrahru të gjitha forcat relevante të Maqedonisë. Realizimi i këtij qëllimi, në të vërtetë, është edhe interes jetik kombëtar edhe shqiptar, sepse të gjithë shqiptarët e rajonit e kanë të njëjtin synim, jo vetëm pse janë përfitimet e mëdha në fushën ekonomike, sociale e politike, por dhe pse, atje do ta ndjejnë më të bashkuar ose më afër njëri tjetrit në një BE ku kufijtë pothuajse nuk ekzistojnë.

Duke i pasur parasysh këto aspekte, roli që ka çdo subjekt shqiptar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sepse, siç e dimë, në botën e polarizuar, nuk është e parëndësishme nëse orientohesh nga BE-ja, NATO, SHBA-të, apo nga pjesa tjetër e ndikimit rus. Për çdo shqiptar dhe për çdo subjekt që mbron interesat e shqiptarëve, nuk duhet të ketë dilema. Për fat të keq, ndonjë syresh sillet sipas asaj fjalës popullore “për inat të vjehrrës…” dhe jo hiç më larg se para disa ditëve, Bilall Kasami, duke fshehur qëllimet e ngushta partiake, s’kishte tjetër argument për t’u bashkuar me forcat që në këtë moment nuk janë për BE, u arsyetua se është kundër eurointegrimeve që si proces e drejton një ministër si Bujar Osmani. E po, tash, në vend se të shprehte përkrahje ose madje dhe fjalë miradie për faktin se këtë proces e udhëheq një kuador shqiptar, ai pa pasur vërejtje se si e drejton atë, i gjen behane vetëm pse ai është në krye të procesit! Me këtë lloj logjike, në mënyrë të papërgjegjshme pozicionohet kundër një objektivi gjeostrategjik të vendit dhe të shqiptarëve, madje duke pasur parasysh se rrezikimi i këtij qëllimi, shkon në interes të disa forcave që jo se e kanë gjithaq për qejf Evropën dhe NATO-n, e aq më pak shqiptarët.

Tash kur me hyrjen eventuale të Aleancës në qeveri, shumica e re parlamentare i afrohet numrit magjik të dy të tretave të votave, dhe vota “kundër” e çdo deputeti shqiptar, do të ishte shprehje e papërgjegjësisë kundrejt peshës historike që kanë ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulë. Dallimet politike, rivalitetet janë pjesë e pluralizmit, që nuk është domosdo të shlyhen me aktin e votimit. Por do të ishte vërtet tradhti e idealeve kombëtare për cilindo subjekt që do ta rrezikonte procesin e eurointegrimit.

Hapësira manovruese me lloj-lloj pretekstesh ka ardhur në fazën kur lipset të zgjedhësh anën. Ali Ahmeti shpesh përmend fjalën se shqiptarët përherë janë në anën e duhur të historisë. Kjo ka peshë edhe më të madhe, kur pikërisht aleatët strategjikë të shqiptarëve dhe të Maqedonisë, kërkojnë rreshtim në atë anë. Vaj halli për ne, nëse dikush për shkak të inateve e rivaliteteve rreshtohet me ata që shikojnë nga Evropa e zemrën e kanë nga Moska!