Qeveria franceze pritet të prezantojë të hënën një projekt-ligj që parashikon ndryshime të gjera në sistemin e pensioneve që do të shtyjnë moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.
Sindikatat nuk janë aspak të kënaqura dhe më shumë se 1 milion njerëz dolën në protesta javën e kaluar për të kundërshtuar planet e qeverisë. Të tjera greva dhe protesta janë planifikuar të mbahen më 31 janar dhe ndoshta edhe më tej.
Çfarë dëshiron të ndryshojë qeveria e Presidentit Emmanuel Macron dhe pse? Çfarë do të thotë kjo për punëtorët, dhe pse kaq shumë njerëz janë kundër?
SISTEMI I PENSIONIT
Të gjithë pensionistët francezë marrin një pension shtetëror. Financimi i sistemit bazohet në rishpërndarjen e një takse të posaçme nga ata që punojnë tek ata që janë në pension. Për shkak të plakjes së popullsisë franceze, sistemi parashikohet të zhytet në deficit në dekadën e ardhshme. Pensioni mesatar në Francë këtë vit është 1,400 euro në muaj (1,500 dollarë në muaj), pasi zbriten taksat.
Sistemi i pensionit është kompleks, me dallime në varësi të profesioneve sikurse edhe sektorit privat e atij publik. Disa punonjës lejohen të dalin në pension të parakohshëm, përfshirë ushtarakët, oficerët e policisë dhe personat me punë me vështirësi fizike.
PLANI I QEVERISË
Qeveria thotë se ndryshimet e propozuara do ta bëjnë sistemin financiarisht të qëndrueshëm. Punëtorët që kanë lindur në vitin 1961 dhe pritet të dalin në pension këtë vit do të duhet të punojnë edhe tre muaj shtesë. Të lindurit në vitin 1968 dhe më pas duhet të jenë të paktën 64 vjeç dhe të kenë punuar për 43 vjet që të kenë të drejtën e pensionit të plotë.
Kush nuk i plotëson kushtet, si shumë gra që ndërprenë karrierën e tyre për të rritur fëmijët, ose ata që ndërmorën një periudhë të gjatë studimi dhe filluan të punojnë vonë, do të duhet të presin deri në moshën 67 vjeçare për të marrë një pension të plotë – masë e pandryshuar nga sistemi në fuqi.
Ata që kanë filluar të punojnë nga mosha 14 deri në 19 vjeç si dhe personat me probleme të mëdha shëndetësore do të lejohen të marrin pension të parakohshëm.
Qeveria argumenton se ndryshimet do të lejojnë edhe rritjen e pensionit minimal me 100 euro, duke e çuar në 1200 euro.
KUNDËRSHTITË NDAJ NDRYSHIMEVE TË PLANIFIKUARA
Anketimet e opinionit publik tregojnë se shumica e francezëve janë kundër planit të qeverisë. Në protestat e së enjtes, qëndrimi i parë publik kundër propozimeve, u mblodhën më shumë njerëz se vitet e kaluara.
Tetë sindikatat kryesore të punëtorëve të Francës po i bëjnë thirrje qeverisë që të heqë dorë krejtësisht nga ndryshimi i moshës së pensionit. Është hera e parë që nga viti 2010 që të gjitha sindikatat bëhen bashkë kundër një reforme të planifikuar.
Kritikët argumentojnë se ka mënyra të tjera për të financuar pensionet – për shembull nëpërmjet një takse mbi pasanikët, ose shtimit të kontributeve të ndryshme shoqërore sipas organikës nga punëdhënësit.
Shumica e partive opozitare, përfshirë të majtët e vijës së ashpër, Të Gjelbrit, Partinë Socialiste, si dhe partinë e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, janë zotuar të zhvillojnë një betejë të ashpër kundër projektligjit në parlament.
ÇFARË PRITET MË TEJ?
Ndryshimet janë përfshirë në projekt-ligjin e ndryshimeve në buxhet që është paraqitur zyrtarisht të hënën në mbledhjen e qeverisë. Diskutimi i tyre në parlament nis më 6 shkurt.
Aleanca e qendrës e Emanuel Macron-it humbi shumicën parlamentare vitin e kaluar, megjithatë ka ende grupin më të rëndësishëm në Asamblenë Kombëtare, ku ka shpresa të bëhet bashkë me konservatorët e Partisë Republikane për të miratuar masën. Përndryshe, qeveria mund të përdorë një fuqi të veçantë për të miratuar ligjin përmes parlamentit pa votim – por një veprim i tillë do të përballej me kritika të rënda. Projektligji më pas do të duhet të votohet nga Senati, ku republikanët kanë shumicën.
Qeveria synon ta miratojë projektligjin deri në verë, në mënyrë që ndryshimet të hyjnë në fuqi në shtator. Megjithatë, planet e saj mund të ndërpriten në varësi të shkallës dhe kohëzgjatjes së protestave dhe grevave./voa