-Kyeministri shqiptar, vetingu, Agjenda e Gjelbër, Fronti për Evropë…janë ide që kanë simbolika të forta për barazinë qytetare, por dhe të ndërtimit të shtetit juridik të denjë për Evropë…Dhe, që më me rëndësi, ato nuk i përkasin vetëm një bashkësie, por paraqesin interes të të gjithë qytetarëve
(Editorial i portalit desk.al)
A e ekziston “fenomeni Ali Ahmeti”?
Mbase po. Kur një politikan është në skenën politike 20 vjet me radhë dhe asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet, atëherë me të drejtë mund të flasim për të si një fenomen. Por vetë ky fakt nuk është i vetmi argument.
Ndër partitë shqiptare më parë lideri i ndjerë i PDSH-së Arbër Xhaferi konsiderohej si i tillë. Për fuqinë e mendimit të tij politik gëzonte respektin edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve. Por, me gjithë respektin ndaj tij, në fushën e pragmës, ai asnjëherë nuk fitoi zgjedhjet.
Këtu është afërsia dhe dallimi midis Ali Ahmetit dhe Arbër Xhaferit. Dijen dhe urtësinë e tij, padyshim e ka Ali Ahmeti, por më tepër se ai, ka dhe aftësinë që idetë e tij t’i shkrijë në projekte politike dhe t’i realizojë ato.
Do të ishte e tepërt të kthehemi që nga fillimi, le të ndalemi vetëm në disa të katër-pesë viteve të fundit, kur Ali Ahmeti u shqua për origjinalitetin e ideve dhe projekteve politike të pakontestueshme. Edhe ata që ishin rivalë të tij, këtë nuk mund t’ia mohojnë.
Një prej tyre, është ideja për kryeministër shqiptar. Të gjithë ishin skeptikë, të gjithë mendonin se e ka sa për të kthyer vëmendjen e votuesve shqiptarë, ndërkaq vetëm ai e dinte se kjo është dhe e realizueshme. Marrëveshja politike që pasoi më vonë, i dha të drejtë atij. Vetëm ndonjë tërmet i madh në politikë mund ta pengojë këtë ide që ka simbolikën e vet të barazisë dhe lojalitetit të ndërsjellë midis shtetit dhe shqiptarëve. Për të mos qenë kjo si ide vetëm në sferën e simbolikës, në pushtetin e tashëm ekzekutiv, BDI-ja me partnerët e koalicionin i dhanë peshë të madhe pozicionit të Nënkryetarit të Parë të Qeverisë, koncept ky që ka funksionuar në interes të ndërsjellë.
BDI dhe Ali Ahmeti lansuan Agjendën e Gjelbër, një projekt i së tashmes dhe të ardhmes, me cilësi më të mirë të jetës. Një ide e bukur me një varg projektesh konkrete.
Ali Ahmeti ka kohë që flet për nevojën e pastrimit të gjyqësisë dhe politikës nga të korruptuarit dhe askush nuk e konteston fjalën “veting” që ai nuk e heq nga goja. Në këtë ide, kush deklarativisht, e kush përnjëmend, janë rreshtuar të gjitha partitë pas nevojës për veting, e të mos flasim për mbështetjen ndërkombëtare. Dhe Ali Ahmeti e ka seriozisht këtë dhe nuk nguron të thotë “vetingun niseni nga unë!”. Ai e thotë haptas, ndonëse shumë nga ata që e kritikojnë për çështje tjera, nuk janë shumë të zëshëm, por idenë s’mund t’ia mohojnë.
Tash Ali Ahmeti ka nisur fushatën më të re për Frontin për Evropë. Ai flet për principe dhe për qëllime jetike të të gjithë qytetarëve. Pas hyrjes në NATO, nevojitet edhe një hap i vogël për BE që ka të bëjë me ndryshime kushtetuese. Ai me bindje të plotë flet se alternativë tjetër nuk ka, se ky është interes jetik i vendit, pa kalkulime të tjera orientimi. Ky front ka paralajmërime se mund të zgjerohet dhe me këtë të jemi më afër ndryshimeve kushtetuese që do t’ia hapte vendit dyert e BE-së. Argumentet se vendi nuk humb asgjë me futjen e bullgarëve dhe malazezëve në Kushtetutë, ka gjasa ta përqafojnë edhe ata që me ngulm e kundërshtojnë për arsye të tjera.
Nëse kujtojmë episodin e kaluar të votimit të Marrëveshjes së Prespës, pak kush e di se në prapavijë ishte pikërisht Ali Ahmeti që disa deputetë të opozitës arriti t’i bindë. Me këtë fituan të gjithë, sepse dyert e NATO-s u çelën hapekrah!
Me këtë front që Ali Ahmeti e quan “…për Evropë”, jo vetëm që mund të sigurohen dy të tretat e votave tash, por ai mund të jetë vendimtar edhe për zgjedhjet e ardhshme, nëse në krahun tjetër vazhdon të forcohen subjekte të cilat mund të shikojnë nga Moska. Fronti për Evropë, që tashmë po e promovon Ali Ahmeti, mund t’i frenojë këto forca.
Nëse analizohen pra këto pak gjëra që u përmendën nga gjithë veprimtaria politike e Ali Ahmetit, edhe kundërshtarët më të mëdhenj të tij, gjë që e kanë thënë edhe më herët, do t’ia pranojnë atij vizionin dhe largpamësinë. Sepse ai di të zgjedhë projektin politik jo për t’i joshur votuesit me fjalë boshe, por me projekte konkrete që nuk mund të mos gjejnë përkrahje.
Kjo është pra fuqia e “fenomenit Ali Ahmeti”, të kesh gjithnjë ide për të mirën e përgjithshme.
Por ky Ali Ahmeti i këtillë, megjithatë nuk e ka kaluar lehtë këtë periudhë njëzet e sa vjeçare si lider i BDI-së. Pati dashakeqë që deshën t’ia ndalin hovin rrugës së tij prej idealisti dhe peshën politike që e kishte dhe çka nuk bënë për t’ia dalë. Po, ku janë ata sot? Ndonjëri shëtitet Budapestit i frikësuar nga hija e tij për bëmat e kaluara. Ndonjë tjetër ka vite që gëzon pensionin politik, ndonjë ndërron mbulohet me qebet për gjumin që s’mund ta bëjë rehat, ndonjë në ndonjë kontinent tjetër…Vetëm ai vazhdon të merret me idetë dhe projektet. Jo kot e quajnë idealistin e fundit dhe të vërtetë në politikë.
Ndaj dhe këtë qëllimin e fundit për ta futur Maqedoninë në Evropë, nuk duhet pasur dyshim se do të ketë epilog të bukur.