Vigenin: Politikanët në Shkup të përmbahen nga deklaratat që nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve

Nënkryetari i Kuvendit bullgar, Kristian Vigenin sot ju bëri thirrje autoriteteve dhe partive në vend që të përmbahen nga deklaratat që nuk qojnë në zgjidhjen e problemeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Ju bëjmë thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, si dhe politikanët dhe partitë udhëheqëse, të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet të cilat nuk qojnë në zgjidhjen e problemeve, por në përshkallëzim të papranueshëm, i cili në afat të gjatë mund ta dëmtojë dialogun mes dy vendeve”, deklaroi Vigenin, i cili është nënkryetar i Partisë Socialiste Bullgare.

Ai paralajmëroi se partia e tij do të insistojë që për incidentin e së enjtes në Ohër të informohen Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ngjarjet e ditëve të fundit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë konfirmojnë korrektësinë e qëndrimit të BSP-së për të mos mbështetur heqjen e vetos në negociatat për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, deklaroi Vigenin në konferencë për media, pas shtyrjes së pikës nga rendi i ditës i mbledhjes së sotme në Kuvendin bullgar në të cilën duhej të debatohej për marrëdhëniet e Sofjes me vendin tonë.

Debati, i filluar nga partia nacionaliste Rilindja dhe i Komisionit kuvendor për Politika për Bullgarët jashtë vendit, ishte shtyrë sepse në mbledhje nuk erdhi shefi i diplomacisë bullgare, Nikollaj Millkov, për arsye, siç ishte bërë e ditur, udhëtimit zyrtar jashtë shtetit.

Millkov dje në fjalimin në mbledhjen e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, ka folur për zhvillimin më të ri të ngjarjeve në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Siç njoftoi MPJ bullgare, Millkov i njoftoi kolegët e tij “për përkeqësimin e situatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në raport me qytetarët e vendit me ndjenjë kombëtare bullgare”, me theks në “incidentin e rëndë me rrahjen e Kristijan Pendikovit në Ohër”. Millkov, gjatë kësaj, ka shprehur keqardhje që ky “incident serioz është pjesë e shumë ngjarjeve të ngjashme gjatë muajve të fundit me karakter antibullgar”.

“Ishte theksuar nevoja që Shkupi të angazhohet në mënyrë aktive dhe të plotë për mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në vend, si dhe për përmbushjen e obligimeve të marra në kuadër të procesit integrues evropian të vendit, shtohet në kumtesën e MPJ-së bullgare.

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski dje pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet me Bullgarinë, njoftoi se Këshilli do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e hyrjes së një eurodeputeti dhe disa personave të tjerë në vend, sepse ka dyshime se disa nga këta persona kanë lidhje me shërbimin inteligjent rus.

Presidenti i vendit tha gjithashtu se një grup i organizuar nga Bullgaria pritet të arrijë në vend më 4 shkurt për të shënuar përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit. Grupi, siç tha Pendarovski, do të synojë të prishë sigurinë dhe të destabilizojë vendin dhe marrëdhëniet me Bullgarinë. Presidenti shtoi se do të merren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë nga kufiri e deri te varri i Goce Dellçevit.

Eurodeputeti bullgar Angell Xhambaski, edhe sot vazhdoi me provokimet në adresë të Maqedonisë së Veriut, Ai sot në Fejsbuk publikoi” Maqedonia ishte dhe është bullgare. Maqedonia e Veriut është tjetër gjë – ajo është meritë e Titos. Me ndalesa për hyrje në vend, nuk do ta fshini të vërtetën”.

Xhambaski së fundi ishte në Shkup, në shënimin e ceremonisë përkujtimore për Mara Bunevën, gjatë së cilës dërgoi mesazhe provokuese për pretendime territoriale dhe duke deklaruar se politikanët maqedonas janë “serbë që kryejnë gjenocid ndaj bullgarëve”, dhe e quajti vendin “bullgar”. MPJ bullgare atëherë u distancua nga qëndrimet e tilla dhe theksoi se ato nuk korrespondojnë dhe nuk janë qëndrim i Bullgarisë si shtet.