Gjykata e Apelit anulon vendimin e Themelores, e kthen në rivendosje rastin e dhunimit të 11 vjeçares


Apeli anulon vendimin e Themelores, e kthen në rivendosje rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Gjykata e Apelit i ka kthyer në rivendosje aktvendim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku gjatë ditës së djeshme e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të dyshuarve të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares i cili ka ndodhur në gusht të vitit 2022.

Sipas njoftimit, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimore të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje.

“Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.