Zjarri fiket edhe me ujë të turbullt

Shkruan Nazmi BEQIRI

Maqedonia e vitit 2023 nuk do të jetë ajo e vitit si paraprak sepse ata që janë më së miri ekonomikisht dhe politikisht po na hynë “ujrave të turbullta”, siç na thotë fjala e urtë popullore.

Këta të “vuajtur” veprimet e veta i kanë nisur që më herët, por në veçanti nga viti që kaloi, por tani më dolën sheshit me dëshira për “ not në ujëra të turbullta”, e cila thënie të urtë me fjalë të sotme thuhet se po dëshirojnë pasiguri.

Në mesin e këtyre “të vuajturve”, si shembull të parë duhet të marrim liderin e opozitës Mickovskin, i cili përmes deklaratave dhe mbase edhe veprimeve të veta po e mbjellë pasigurinë e vendit edhe të veten , pasiguri e cila mund ta sjellë vendin deri në konflikt të armatosur. Mos i lëbyrni sytë në mua për këtë fjalën e fundit, por shikoni veprimet.

Edhe këtë vit, ai mban qëndrimin se etnia bullgare e cila jeton brenda kufijve të këtij vendi nuk duhet të vendosur në kushtetutë. Ky mospranim i etnisë bullgare në kushtetutë, automatikisht do të thotë se atyre u mohohet të drejtat elementare të garantuara me kartën e OKB-së për të drejtat e njeriut. Nuk mund ta themi se zotriu në fjalë nuk e dinë këtë që po e bënë dhe se e bëra e tij është në kundërshtim me ato ligje, madje besoj se këtë e dijnë mbarë anëtarësia e tij.

Me gjithë bllokun e liderit në fjalë, këtë mos pajtim, këtë mospranim, e sheh dhe e dinë edhe pala që e kërkon këtë të drejtë legjitime. Kur e sheh, kur e ndien se dikush tjetër po të shtyp, po të mohon, po shfrytëzon energjitë e tua, është e qartë, është normale që të reagosh dhe reagimi i bullgarëve këtu, deri më tani, është një veprim tërësisht brenda normales por edhe në përputhje me rregullat ekzistuese botërore.Sikur janë për të gjithë botën, janë edhe për ta. Nuk po them se ata janë duke reaguar, por nuk po them edhe se nuk do të reagojnë. Ata po përdorin mekanizma e mjete veprimi që ta realizojnë të drejtën e tyre, madje edhe nuk janë të papërkrahur në këtë vendin tonë dhe të tyre, andaj edhe nuk po reagojnë por po veprojnë, ngase janë të pranuar e përkrahur drejtë të ardhmës së tyre nga shumica e popullit dhe partive që e përbëjnë shumicën në këtë vend.

Lideri i opozitës, i cili nuk pajtohet me këtë qëndrim, po kërkon që ata të reagojnë, duke e dhënë një deklaratë që po mos të ishte rasti i çështjes së bullgarëve besoj se nuk do ta kishte bërë, por edhe sikur ta kishte bërë, do të dilte qesharak sa do të duhej të merrej vetëm me bizneset që ka e ta linte politikën. Ai flet për 2001-shin, duke thënë se paska qenë rezervist dhe se atë luftë nuk e kishte fituar lideri shqiptar Ali Ahmeti.

Çudi që analistët nuk e zbërthejnë në opinion këtë thënie. Personi në fjalë nuk është siç thotë populli “si i trenti për kos” dhe kotësisht të shprehet me këto fjalë për 2001-shin. Ai, përmes kësaj të thëne, më duket se po thërret në rrebelim me armë bullgarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilat të drejta shqiptarët e po kësaj Republike ishim rrebeluar dhe kinse e paskemi humbur atë rrebelim.

Mua nuk më brengos kjo edhe sikur ai të fliste krejtësisht hapur, ngase, nëse ai ka qenë diku brenda vendit rezervist, unë kam qenë prijës në ato procese, por më brengos siguria dhe stabiliteti i vendit (Republikës së Maqedonisë së Veriut), të cilit destabilizim po i ndihmojnë edhe disa anëtarë të partisë të cilën në mesin e shumë mundëdhënësve për ngritjen e asaj partie (BDI-së) jam edhe unë. Ata anëtarë nuk janë të rangjeve të ulta brenda partisë e që mos vrehen këto deklarime e veprime brenda vendit, madje ata duhet që të shikojnë e të analizojnë dhe zbërthejnë çdo të thënë e të dhënë brenda regjionit e më gjërë, ku edhe po bëhet luftë.

Nuk më besohet, ose nuk dua të besoj se ata nuk i kapin këto gjëra brenda politikave të regjionit, por nuk më pëlqen edhe sikur ata të pajtohen me këto veprime që duan t’i ndalin hapat e zhvillimit të rrugës që ky vend e ka kërkuar mbase edhe para se të konstituohej si shtet sovran e që tani është duke i hapëruar drejtë tyre. Në rast se “ua ka pirë sorra mendët” dhe nuk janë pajtuar me këtë zhvillim që po bënë shteti me arritjet e barabarsisë së shteteve brenda asociacioneve të ndryshme në botë, në të cilat edhe atje ku nuk kemi arritur, apo ende nuk jemi pranuar, jemi synues drejtë atyre organizmave ndërkombëtarë, Këta me dije,padije apo pak ëndje, po mbajnë mendimin e Mickovskave, i cili mbase do t’u sigurojë vende ,,komandantash” e edhe ndonjë,, gjeneral”, ngase në mesin e këtyre vepruesve ka prej tyre që kanë pasur çdo gjë e çdo privilegj, vetëm atë gradë nuk e kanë pasur. (brenda shkrimeve gjithëherë ka vend edhe për pak sarkazëm).

E them këtë thanje, qoftë edhe si thënie humoristike.Meqë unë e pranoj si të tillë, atëherë duhet shtuar se është humor me lot, ngase në thëniet e popullit tonë ka një fjalë të urtë e cila thotë : “vaji i burrit është kënga” dhe në vend kësaj po e bëjmë humor sepse ne nuk kemi qarë e vajtuar asnjë herë.

Po pse po i them këto fjalë për liderin e opozitës dhe bashkëpartiakëve të mi. Po i them, ngase nuk po më pëlqejnë thënjet me sherr të liderit të opozitës dhe fjalimet në tubimet paralele që po mbajnë disa individë aktivistë dhe prijës të të njejtës parti –partisë sime.Nuk po më pëlqejnë sepse këta ,, prijës ”që po i quajnë “grupi i zjarrit” po bien aq poshtë sa po fyhen ata dhe po fyhem edhe unë vetë.

Fyhem edhe unë sepse kam thënë ndonjë lavdatë për ta, natyrisht të merituar për kohën e jo për ide piromane të sotme. Brenda kësaj fyerjes time, është edhe çështja se pse ata e pranojnë këtë emër reprezentativ “Grupi i zjarrit”?!!! Vetë e zgjodhën këtë emër apo i pagëzoi dikush. Sido që të jetë, ky emërtim nuk ka vend në mesin e veprimtarëve të kësaj kohe. –Ani lere më grupi! Edhe kjo po më befason. Nga një tërësi të ndahesh në një pjesë, po qoftë edhe ajo pjesë vepruese, a nuk i bie sikur të lësh jetën , pozitën dhe statusin që ke në kështjellë e të dalësh e ta vështrosh e të të vështrojnë nga një shupë (stallë, veçallëk). Akoma më fyese është pjesa e dytë , pjesa “zjarrit”. Nuk di kush ka lozur “topash” me ta.Ngritesh e punon brenda shtëpisë sate, për t’ia ndërruan suvatimin , mobilimin e gjithçka brenda saj deri sa të duket komplet e re. Te kjo punë e bukur dhe e fisme nuk ka vend fjala zjarr, ngase zjarri nuk është element që ndërton por djeg, shkatërron dhe të pranosh të të thërrasin me këtë emër nuk është e logjikshme e as e këndshme e aq më keq nëse e ke përzgjedhur vetë këtë emër.

Po nënçmohen sepse nuk po i respektojnë shkencat politike, të cilat me postulatet e veta thonë se të gjitha idetë e mospajtimet duhet thënë e duhet të zhvillohen brenda organizatës. Madje po brenda kësaj shkence partitë që janë në pozitë, (gjë për të cilën edhe janë krijuar), duhet që gjithë veprimin , të gjitha energjitë e kuadrit partiak duhet të shterren në projekte, qofshin ato për çështje zhvillimi brenda hapsinor, qofshin ato projekte për arritje intelektuale, ku mund të rradhisim çështje juridike, arsimore e sociale, në të cilat si shtet jemi në nivelin e standardit të shteteve tjera që jo vetëm kanë korigjuar e përparuar veten, por edhe janë bashkuar për të vepruar së bashku, pavarësisht racave, etnive e gjuhëve e inateve dhe namjeve kohore.

Nuk po më pëlqen që ata shokë, ose bashkëanëtarë që po qeshin e përqeshin, po kritikojnë e stërkritikojnë me vend e pa vend funksionarët të vet . Pa hyrë fare në ate se a kanë të drejtë apo nuk kanë të drejtë, madje po themi se kinse paskan të drejtë, atëherë këto mangësi të tyre, nuk duhet të thuhen në tubime paralele, e në as kurfar tubimi ngase është organi i cili përfaqëson mbarë organizimin e masave dhe vendeve dhe njëherit është edhe kryeorgani partiak.

Nuk po më pëlqen ngase këta bashkanëtarë nuk kanë të drejtën ligjore të veprojnë kësisoji sepse kjo punë e ekzekutivit është njohur dhe është normative edhe nga populli ynë (si ndër më rrebelet e rajonit për këso punësh). Këto ligje, jo vetëm që janë në shkenca politike e statute partish, madje edhe te e jona, por kanë folur për këtë punë edhe rilindasit e tanë mendjendritur, të cilët edhe na i kanë ruajtur këto vende dhe kanë krijuar këto shtete. Për këtë punë shkruan me të shumtë edhe mendjendrituri Sami Frashëri i cili në mesin e atyre shkrimeve thotë: (Fitoret e një lideri mvaren nga ajo se si i përcakton njerëzit në kabinetin e tij, të cilat fitore nuk varen nga ajo se sa janë të aftë e të ditur ata njerëz, por sa janë të dëgjueshëm dhe besnik ndaj liderit).

Por kjo është prezent në çdo shtet konstituiv. A nuk e panë bashkëanëtarët e mi se vet Edi Rama në qeverinë e vetë emëroi dy kosovarë për ministra, a nuk e dijnë këta se kosovarë kishte edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionale Çlirimtare Shqiptare gjat LDB-së, le më për në ekzekutiv, por edhe për përfaqësim në parlament kishte të emëruar kosovarë dhe nuk është shënuar ndonjë mospajtim për ato emërime as në kohë të mbretit, as në kohë lufte, as në kohë monizmi e as sot.
Edhe sikur të kenë hatërmbetje, edhe sikur të ishin pro tyre veprimet e atyre për të cilët këta po reagojnë duhet lënë këtë rrugë veprimi dhe bëjë thirrje që këto veprime të ndalen dhe të futen në veprim në vendin dhe mënyrën që i takon .

Nuk më pëlqen të vazhdojnë jashtë këto takime ngase me çorientimin e shumëkujtë do të çorientohet edhe vet populli ynë dhe po dëgjohen edhe fjalë që po përdorën pa vend. Sa u tha se: “çka na kërkuat u dham”. Dhe si u tha!!!??? as që desha ta mbaj mend, por më duket se u përmend edhe “buka” aty në atë takim i cili element (buka) kurrë nuk është ndalur për nevojtarin, por as nuk është përmendur kurrë. Andaj spo më pëlqejnë këto veprime, ngase po flitet çartas, me çorientim. Unë nuk e di se çka është bërë në botë, por kam qenë në udhëheqje të asaj kohe dhe dëshmoj se ne nuk kemi kërkuar gjë as në një vend. As bukë, as vend, as, shtëpi, as njerëz, as vetë ushtarë, ne u kemi dal zot këtyre dhe u kemi pri. Sa për kërshëri:
-ushqim na kanë sjellur edhe ortodoksët e Tetovës, edhe vendstrehimi, edhe vet ushtarët e lavdishëm të asaj kohe, duke i përfshirë nga i pari deri te i fundit, që nga më i vjetri e deri te më i riu kanë ardhur vullnetarë ballëngritur dhe ashtu u kthyem në shtëpitë tona.

Po çorienton edhe fjala se: nëse na përzënë nga dera, do të hyjmë për dritare!!!. Nëse zjarristi i ve zjarrin shtëpisë, aty më nuk do të ketë as derë e as dritare dhe as rrugë e as rrugicë…
Nuk më pëlqen as veprimi : të largohet filani.Politika nuk njeh veprime të tilla. Për ta larguar një drejtues ekzekutivi do të duhej së paku të përgatiten disa punë: të bëhet një raport i punës së tij i mbuluar me të dhëna, materiale faktuese, punë e veprime të paparapara. Të bëhet një elaborat se si do të mund ta bëje ti, dhe si do t’i kaloje të papriturat. Të përgatitet një eleborat afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Këto elaborate, nuk duhet punuar në mënyrë grupore, por vetëm nga ai që me marrjen e asaj detyre, do ta shpëtonte vendin prej një krize të brendshme ekonomiko e financiare, të sigurojë stabilitet e jo inflacion, të sigurojë zhvillim e jo ngecje. Nuk shkon veprimi i këtillë: ti le detyrën e ik e ta bëjë kush të dojë… A nuk i bie kjo sikur t’i thoje ndonjërës ti lere burrin por unë stë marr se jam hudum.

Spo më pëlqen të bëhet shaka apo nënçmim për rrugën që kemi filluar ta shkelim , ngase fort mirë e dini se një femër e evropës është futur si emisare në këtë Maqedoni në fillim të shekullit që shkoi dhe ka me dhjetra libra lëvdate, se ajo ka qenë te ne, ngase jemi dikushi, ngase kemi vlera, ngase jemi faktorë, madje kemi bërë edhe filma artistik për rrugën e saj. Tani kur po trasojmë rrugën për t’u futur nën të njejtin kulm me shtetet e Europës, të luhet me ato fronte e organizma, se po u bëkan për të shpëtuar një njeri dhe prap fjala shpëtim nuk ka logjikë, as fjala mbrojtje ska logjikë, kur njerëzit ecin lirshëm, shkojnë në punë e obligime të nevojshme lirshëm.
Spo më pëlqejnë edhe shumë gjëra brenda këtyre veprimeve, por sa për ta paraqitur mendimin, përmenda disa nga veprimet e rëndësishme dhe më pak të rëndësishme. Andaj kërkoj kthimin në institucione. Kurse të gjithë të tjerëve, përfshi anëtarë të të njejtës parti, veprimtarë të organizmave politik dhe vet partive politike, i porosisë që mos të brohorisin e propagandojnë këso farë lëvizjesh e veprimesh, sepse nuk jemi dhe nuk dua të ngjasojmë me dhentë të cilat janë të vetmet kafshë që kur ndonjëra nga to, kalon ndonjë shteg pas i shkon e gjithë kopeja dhe këtë veprim e bëjnë edhe kur ujku rrëmben ndonjë dele me dhëmbët e tij dhe fillon të largohet, kopeja e dhenëve i shkon pas dhe shumë normal –nuk kthehen më pas.
Bisedimet, takimet, shqyrtimet, analizimet dhe veprimet, nuk bëhen nën sofër dhe as me nivele tjera organizative. Kjo mënyrë e punës tek ne ka qenë që në kohën e kreshnikëve e ne sot mos t’i korisim ata e as veten e as brezin e ri.

Për opozitën shqiptare po them se veproi mirë që po mbanë takime të përbashkëta dhe para se të mendojnë ta marrin pushtetin me respekt u them se duhet ta bëjnë shtetin se nuk ka pushtet ku nuk ka shtet, andaj të pranojnë çdo thirrje për takime, biseda, pa qoftë edhe për ndonjë drekë të përbashkët.

Ngase në këto takime nuk ka çare pa u thënë një fjalë e mirë, një fjalë me vend, një fjalë vizioni. Them kështu ngase po i detyruan bullgarët që të veprojnë siç na detyruan ne me 2001 -ky angazhim i sotit do të mbetet muzikë nga fyelli i shkyer dhe edhe nipërit e juaj do të qeshin me ju.

Nuk zhvillohen tubime, mbledhje për të rrëzuar një kryetar të një partie tjetër, por duhet krijuar rrethana me i marrë votat e partisë që është në pushtet. A nuk është turp të thuhet se do të dalim këtë herë dhe do ta rrëzojmë filanin (spo e përmend emrin) një komandant, një prijës që fitoi zgjedhjet në mënyrë demokratike për njëzetvjet pa ndërpre. Por edhe skeni faj, sepse ai vërtet është shumë tolerant dhe edhe kur e kritikoni madje edhe kur e fyeni ai ju falë juve për hatër të ardhmërisë së fëmijëve tuaj. Në rast se do të zgjedhnim kryetarin më të mirë organizativ në Maqedoni, pra për organizim, padyshim se do ta zgjidhja Menduh Thaçin dhe të gjithë më duket se duhet t’ia keni lakmi atij e edhe vet lideri i BDI-së, sepse anëtarët e tij prore po i rrinë besnik edhe ate pa qenë fare në pozitë, po sikur të ishte. Nuk di sa e keni përcjellur, por pas marrjes së një vendimi të gjithë deri në anëtarin e fundit të organizimit strukturor e kanë miratuar pa i ndryshuar as presjet e le më fjalët. Një thirrje e këtillë për të ruajtur rregullat partiake e shoqërore, për të bashkpunuar partitë në mes veti është bërë edhe në fillim të viteve nëntëdhjeta dhe ashtu si e pranoi atë thirrje ajo kohë, ashtu edhe përfundoi. E di që nuk e dini, e di që nuk e keni lexuar, por po ua citoj: nëse bëni kështu parti, do të mbeteni vetëm kryetarë partish, të cilët asesi nuk mund të merren vesh pa e zgjedhur një kryetar, apo të bëhet një trup organizativ i atyre kryetarëve, ku duhet të përcaktohej kryetari….

Ky vështrim politik është botuar në Prishtinë nga veprimtari Qemajl Qerimi në revistën” Koha” në vitin e vështirë 1989

Ju veprues e Mickovska, ku keni qenë atëherë, kujt ia keni mbajtur zhagun? Prej kur ju jeni bashkëpunëtor të mi ua kam hapur të gjitha mundësitë për postet e ofiqet.

Keni bërë edhe punë të mira por jeni paguar në vazhdimësi. Po e them edhe një fjalë të urtë popullore, “kështjellën nuk mund ta shemb ai që nuk e ka ndërtuar”

Ky nuk është mendim i imi por është sintagmë politike. Paralajmërimi është vetëm i imi personal… ngase zjarri shuhet edhe me ujë të turbullt, por fytyra nuk lahet me këso uji.