Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë kryesor dhe ne jemi krenarë që shqiptarët në Mal të Zi janë bartës të vlerave properëndimore dhe euroatlantike, tha Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit dhe lider i Alternativës Shqiptare (ASH).
Sipas njoftimit të ASh-së, këtë ai e ka thënë në Uashington gjatë një bisede me senatorin Joni Ernst, bashkëkryetar për Çështjet Shqiptare. “Theksova rëndësinë e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes popullit amerikan dhe atij shqiptar”, tha Gjeloshaj.
Ai po ashtu ka thënë se Senatorin Ernst e ka njohur me situatën politike në Mal të Zi si dhe me gjendjen e shqiptarëve dhe ndër të tjera me planet zhvillimore të Komunës së Tuzit.
“Me mirënjohje të madhe për punën e administratës sonë dhe për bashkëpunimin me diasporën tonë në SHBA. Senatorja Ernst na falënderoi për faktin se jemi popull proamerikan dhe na siguroi fuqishëm se do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët, si dhe të gjitha veprimet dhe iniciativat e tyre”, përfundoi Gjeloshaj.