SHBA-ja sanksionon rrjetin rus të tregtarëve të armëve

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 22 individëve dhe entiteteve nga disa shtete, që sipas Departamentit të Thesarit, janë pjesë e një rrjeti global, të krijuar për t’iu shmangur sanksioneve paraprake ndaj industrisë të mbrojtjes së Rusisë.

 

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Thesarin amerikan vendosi sanksione të reja më 1 shkurt ndaj individëve dhe entiteteve, që sipas SHBA-së, mbështesin industrinë ushtarake të Rusisë.

 

Vendimi i SHBA-së është pjesë e strategjisë kundër shmangies së sanksioneve në mbarë botën, për të zbuluar ndërmjetësit që i japin qasje në të ardhura Rusisë, të cilat më pas ajo i përdor në luftën kundër Ukrainës, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

 

“Përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të përdorur të tjerët që të shmangë sanksionet amerikane janë dëshmi se sanksionet ia kanë bërë më të vështirë industrisë ushtarake të Rusisë që të rifurnizojë makinerinë e luftës së [presidentit rus, Vladimir] Putin”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo.

 

Rrjeti udhëhiqet nga Rusia dhe nga tregtari i armëve, me bazë në Qipro, Igor Zimenkov. Ai në këtë rrjet punon me djalin e tij, Jonatan Zimenkov, me qëllim që të mundësojë shitjen e armëve në shtetet e treta, tha SHBA-ja.

 

Ky rrjet është i përfshirë në projekte të lidhura me aftësitë e mbrojtjes ruse, përfshirë edhe furnizimet me pajisje të teknologjisë së lartë, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, tha Thesari.

 

Disa anëtarë të këtij rrjeti po ashtu kanë mbështetur entitetet e sanksionuara ruse, Rosoboroneksport dhe korporatën shtetërore Rostec, që Thesari vlerëson se janë pjesë kyçe të industrisë ushtarake të Rusisë.

 

Igor Zimenkov ka raporte të ngushta me njerëzit e lidhur me Rosoboroneksport dhe po ashtu ka ofruar informacione për personelin e Rostec që gjendet jashtë vendit. Ndërkaq, sipas Thesarit, Jonatan Zimenkov është përfaqësues ligjor i kompanive në këtë rrjet, që janë të babait të tij.

 

SHBA-ja tha se ata me qëllim janë përfshirë në disa marrëveshje për shitjen e helikopterëve dhe të shërbimeve të sigurisë kibernetike në shtetet e Amerikës Jugore dhe gjithashtu kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me klientët potencialë të Rosoboroneksportit, me qëllim që të mundësojnë shitjen e materialeve ruse të mbrojtjes.

 

Thesari tha se në rrjetin e goditur me sanksione ka pasur disa kompani që kanë kryer pastrimin e parave. Këto kompani, që janë subjekt i sanksioneve, kanë selinë në Singapor, Qipro, Bullgari, Uzbekistan dhe Izrael. Po ashtu, disa persona të lidhur me këto kompani janë sanksionuar./rel