Rrustemi: Ligji për konfiskimin e pasurisë s’ka target specifik, veprimi për miratimin e tij s’ka motive politike.
Kuvendi i Kosovës, me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, sot e ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
E në lidhje me këtë, në Edicionin Special në Klan Kosova ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se byroja nuk ka target specifik.
Ai gjithashtu u shpreh se veprimi për të miratuar këtë ligj nuk ka ndonjë motiv politik, përcjell Klankosova.tv.
“Mendoj që ligji dhe Byroja nuk ka target specifik dhe as veprimi për të miratuar këtë ligj nuk ka ndonjë motiv politik, i vetmi motiv është luftimi i korrupsionit dhe i fenomenit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, tha ai.
Rrustemi tha se shpeshherë zyrtarët e lartë politikë e kanë parë pozitën, siç u shpreh ai, si një mundësi ideale për t’u pasuruar.
“Jemi dëshmitarë, s’ka asnjë dilemë në opinionin e gjerë kosovarë, që përgjithësisht, zyrtarët e lartë publik shpeshherë e kanë parë pozitën si një mundësi ideale për t’u pasuruar dhe jo si një përgjegjësi për t’i shërbyer qytetarëve”, tha Rrustemi.
Tutje, ai u shpreh se ky ligj e përcakton që të gjithë zyrtarët publik mund të jenë objekt i verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme, përcjell Klankosova.tv.
“Ligji e përcakton që të gjithë zyrtarët publik mund të jenë objekt i verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme, prej vitit 2008 e tutje, madje edhe për ata zyrtarët që kanë pushuar së ushtruari pozitën ose pozicionin e zyrtarit publik, duke u kthyer deri në 10 vjet nëse kanë pushuar së qenuri zyrtarë publik, mund të jenë objekt i verifikimit të pasurisë”, u shpreh tutje ai.