Presidentja moldave akuzon Rusinë për planifikim të një grushtshteti

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, akuzoi Rusinë për komplot për të përmbysur dhunshëm udhëheqjen pro-evropiane të shtetit me ndihmën e sabotatorëve, që sipas saj, paraqiten si protestues kundër Qeverisë.

 

Plani i supozuar i Moskës do të përfshinte “sabotatorët që kanë lidhje me ushtrinë, të kamufluar me rroba civile, për të kryer veprime të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe marrjen e pengjeve”, tha Sandu për gazetarët.

 

Të fshehur pas “protestave të të ashtuquajturës opozitë”, sabotatorët do të synonin “që të rrëzonin rendin kushtetues dhe ta zëvendësonin pushtetin legjitim të Kishinevit me një pushtet të paligjshëm”, tha ajo, duke mos pranuar që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

 

Këto deklarata të Sandus vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar tha gjatë samitit të Bashkimit Evropian se Kievi ka parë “planin për shkatërrimin e Moldavisë nga inteligjenca ruse”.

 

Moldavia, shtet me 2.6 milionë banorë që kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën, ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE në verën e vitit 2022, por gjatë vitit të kaluar është përballur me një sërë protestash anti-qeveritare të organizuara nga oligarku në arrati, Ilan Shor.

 

Përveç forcave të brendshme që kontrollohen nga Shor, Moska po ashtu supozohet se planifikon të përdorë shtetasit nga Rusia, Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi për të zbatuar planet e saj, tha Sandu.

 

Prandaj, sipas saj, Parlamenti i Moldavisë duhet që “shpejt të miratojë” ligje që do t’u jepnin Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së shtetit dhe prokurorëve “masat e nevojshme për të luftuar në mënyrë efektive kërcënimet e sigurisë kombëtare”.

 

Por, “përpjekjet e Kremlinit për të sjellë dhunë në shtetin tonë do të dështojnë”, tha Sandu.

 

Gjatë vitit të kaluar, Moldavia, shtet fqinj i Ukrainës, është përballur me një sërë shqetësimesh të sigurisë, pasi copëza të raketave ruse kanë rënë në territorin moldav.

 

Moldavia po ashtu është përballur me reduktime të energjisë, pasi Ukraina ndaloi eksportin e energjisë për shkak të sulmeve ajrore ruse ndaj infrastrukturës së saj kritike./ rel