Rasti Pavle Trajanov dhe “orbitimi” i partive-“satelite”

Edhe pa njohuri të gjera nga fusha e trupave qiellorë, vetëm nga një asocim i ngulitur nga kultura e përgjithshme, krejt do të thonë  se sateliti është një trup qiellor që sillet rreth një planeti. Shembullin më të mirë e kemi hënën, që sillet rreth planetit tonë.

Po, por një nocion i një fushe, shpesh “futet” në një fushë të huaj. Si në politikë, përshembull, ku kemi satelitë boll, e planetët nuk i përmend askush, e që ndoshta do të duhej. Sepse, nëse ka satelitë, duhet të ketë dhe planetë rreth të cilëve sillen.

Këto satelitët sërish na i solli ndërmend Pavle Trajanovi me Lidhjen Demokratike, që shumëkush e konsideron një nga partitë e shumta satelite. Sepse, kjo parti dhe lideri i saj kanë marrë vendim të largohen nga “orbita” e “planetit” LSDM, ku deri tash “orbitonte”.

Duke i marrë parasysh “lëvizjet” specifike që i bëjnë “partitë-satelite”, ka nevojë për një definim për t’i dalluar nga trupat qiellorë. Sepse, ndryshe prej tyre, satelitët e politikës kanë një orbitim të çuditshëm. Sot janë me një planetë, nesër sillen rreth një planeti tjetër. Me gjasë, duke thyer ligjet e fizikës.

Kuptohet se këtu nuk ka ligje fizike, por të tjera. Te satelitët politikë ligjet e fizikës nuk përbëjnë kurrëfarë pengesash, që sot të jesh rreth një “planeti” e nesër rreth një tjetri. Edhe pse logjikisht do të duhej që edhe ky “satelitim’ të ketë një farë ligji: nëse je parti e majtë, shkon më të majtët, nëse je i djathtë, shkon me të djathtët. Nese je parti nacionaliste, shkon me nacionalistë, apo nëse je parti qytetare, zgjedh të lidhesh me opsion qytetar. Nëse je evropian, lidhesh me ato që çojnë në Evropë.

Kur jemi te kjo e fundit është interesant të theksohet se Lidhja Demokratike e Trajanovit ka shprehur disa çështje të parealizuara(sipas tyre, të premtuara) dhe këtu duket se është krejtësisht lëvizje e rregullt. Inkurajon fakti që Pavle Trajanovi tha se me dalje nga qeveria, nuk dalin nga kursi pro-evropian, që do të thotë, se do të votojnë gjithçka që e çon vendin andej, pra edhe ligje edhe kushtetutën. Këtu do të donim ta mbajmë për fjale kur të vijnë çastet e sprovës.

Por, sprova e vërtetë, ajo që të shkon ndërmend për këtë lëvizje, është se LD-ja përgatit terrenin për një “orbitim” të ri. Me fjalë të tjera, mund të vëmë bast se, siç shkruan shtypi opozitar, “e braktis anijen që po fundoset” për t’iu bashkangjitur nesër një tjetre, që mendon se po |lundron” mirë në ujërat e turbullta të politikës në vendin tonë. Tipike për veprimet e deritashme, sepse ajo tashmë ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, në të cilën shikon ndoshta një partner të ardhshëm. LD-ja s’do të ishte as e para, as e fundit me këtë lloj kalkulantizmi, sepse edhe disa parti tjera të vogla, që janë në koalicion me LSDM-në, kanë histori të ngjashme. Nëse në lëvizjet e partive-satelite nuk veprojnë ligjet e fizikës, as parimet etike, apo orientimi ideologjik, nuk është zor të kuptohen motivet e tyre.

Realisht, “qielli” i  Maqedonia është paksa i “stërngarkuar” me këtë lloj satelitësh. Ndryshe nga Shqipëria ose Kosova, ku numri i tyre është zvogëluar në mënyrë drastike./indeks.mk/