Dauti rreth idesë së Ali Ahmetit: Vetingu do të eliminonte ndikimet e pushteteve midis tyre

“Vetingu që po përflitet aq shumë, do të duhej të ishte një proces i vendosur në binarë të sigurt që të arrijë efektet e veta, ta çlirojë gjyqësinë dhe politikën nga profiterët shumëvjeçarë, por dhe të vendosë parime dhe të krijojë parakushte për funksionim të të gjitha pushteteve, të pandikuar njëri tjetri. Kjo që kishim deri tash me një garniturë të kaluar dhe tash me këtë tjetrin, nuk duket se kemi gjyqësi të besueshme në vendimet e saj. Një ideal i largët, por ia vlen të provohet.”

Kështu midis tjerash ka shkruar publicisti Daut Dauti në kolumnën e tij në gazetën Koha, “Vetingu, një ideal i (pa)arritshëm për pastërtinë e gjyqësisë dhe pushtetit!”. Ai përshkruan situatën paradoksale që ekziston sidomos në gjyqësi, me vendimet selective e me ndikimet politike në të kaluarën dhe tash, për t’i dhënë në mënyrë indirekte përkrahje idesë së liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, për procesin e vetingut që ka kohë që po e promovon.

“Këtu në Maqedoni, çuditërisht, imperativin për veting nuk e propagon aq opozita, po vjen drejtpërdrejt nga pushteti, më saktë, ideator apo promotor për veting, që nga gjyqësia gjer te politikanët, është lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.”, shkruan Dauti.

“Me gjasë, në këtë temë pak kush mund të kundërshtojë, edhe pse edhe më pak kujt mund t’i përgjigjet. Në anën tjetër, habia përse autori i kësaj ideje insiston nuk është vetëm te “poentomi” politik, por dhe shfrytëzimi i tij si një mekanizëm finok i vetëpastrimit të radhëve partiake nga personat që në çdo parti mund të gjinden e që kanë mundur ta keqpërdorin pozitën zyrtare për përfitimet e tyre duke keqpërdorur pozitën. Prej kësaj, zor se gjen subjekt që mund të jetë imun”, thotë autori i kolumnës.

Dauti në kontekst të vendimeve të dyshimta përmend edhe lëndën “Alfa” por dhe mosrespektimin e ligjeve të kodit penal nga lënda në lëndë, kur gjykatës të ndryshëm u japin interpretim të vetin neneve të njëjta.