Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur skandaloze konferencën në të cilën deputeti, Haki Abazi i ka përmendur disa video-incizime që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
“Ajo konferencë mendoj që ishte skandaloze në krejt kuptimin e fjalës prej thirrjes e deri tek pretendimet atje, të tjerat as nuk dua t’i komentoj”, ka thënë Kusari-Lila në TV1.
Tutje ajo ka thënë se çështjet e mostrave i takojnë organeve të rendit, ndërkaq tha se akuzat tjera të ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi janë të banalizuara dhe të panevojshme.
“Aty ka pasur nëse mund të bëhet një listë e gjërave që nuk janë si duhet ose nuk janë prezantuar si duhet, ajo do të ishte shumë e gjatë. Prandaj, nuk kisha dashur të futem më tutje. Janë çështje të organeve të rendit për atë temë specifike, për këto tjerat janë aq të banalizuara dhe aq të panevojshme sa që aty janë bërë shumë shkelje duke filluar prej bazikes gjuhës parlamentare, etikës profesionale. Parlamentarizmi dhe demokracia nuk e njohin dhe nuk do të duhej ta kishin shfryrjen e mllefit, egove ose inateve personale në konferencë për media me pretendimet të cilat pastaj prodhojnë pasoja tjera”, ka deklaruar ajo.
Kusari-Lila është shprehur se me ato deklarata Abazi nuk i ka bërë nder askujt, madje as vetes së tij.
“Për mua është e tepërt çfarëdo diskutimi i mëtutjeshëm lidhur me atë ngjarje atë ditë, sepse mendoj që askujt nder nuk i ka bërë, madje as vetë autorit”, është shprehur Kusari-Lila.
Disa ditë më parë përmes një konference për media, deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.
“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.
Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.
“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.