Osmani: Mbështetja e ShBA-së për politikën kundër korrupsionit do të thotë shërim i shoqërisë

Përkrahja e politikës kundër korrupsionit nënkupton shërimin e shoqërisë dhe prandaj fokusi duhet të jetë në këtë çështje në vend të marrëdhënieve me Bullgarinë, tha Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai gjithashtu theksoi se dialogu strategjik që Qeveria e prezantoi vitin e kaluar është në fakt një plan veprimi për politikën kundër korrupsionit për të cilin shteti ka dy mekanizma për ta mbështetur.

“Sot po flas me të gjitha palët e interesuara, si ShBA-ja, për të mbështetur atë politikë antikorrupsion. Tani kemi dy mekanizma për të mbështetur politikën kundër korrupsionit. Njëri është Dialogu Strategjik me ShBA-në dhe tjetri është fillimi i negociatave me BE-në. Pra, ne kemi dy duar që mbështesin dhe inkurajojnë atë proces. Kështu që, nuk ka ikje nga përballja me korrupsionin dhe mendoj se është një çështje e rëndësishme për të shëruar shoqërinë dhe mendoj se kjo temë do të dominojë”, deklaroi Osmani.

Osmani vlerëson gjithashtu se ata që po i bllokojnë ndryshimet kushtetuese jo vetëm që po bllokojnë rrugën europiane dhe perspektivat europiane të shtetit, por në fakt po e çojnë në plan të dytë temën e antikorrupsionit.

“Fatkeqësisht, ata që po bllokojnë ndryshimet kushtetuese, në fakt e shtyjnë në plan të dytë temën e antikorrupsionit, duke u fokusuar në këto çështje politike, marrëdhëniet me Bullgarinë, ndryshimet kushtetuese, në vend që t’i lëmë mënjanë dhe ta kthejmë në qendër të vëmendjes politikën kundër korrupsionit.

Pra, ja edhe një dilemë tjetër, pse dikush kundërshton ndryshimet kushtetuese, a dëshiron që me atë të shtypë agjendën antikorrupsion, të cilën miqtë tanë, amerikanët, partnerët tanë strategjikë, por edhe shoqëria jonë, me konsensus, duan të jenë temë themelore në shtet”, vlerëson Osmani në intervistën për Zërin e Amerikës.