Pranimi i planit franko-gjerman s’e shpëton askënd, kërkohet kompromis për Asociacionin


Atë që Kryeministri Albin Kurti deshi ta nënshkruajë mbrëmë në Bruksel, sipas Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit përmban propozime jo të lehta që Kosova i pranoi. Shefja e shtetit nuk hezitoi të thotë cilat janë ato: vetëmenaxhimi i pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimi i statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Kurti nuk u lëshua fort në vlerësime, ai sugjeroi që të lexohet plani i publikuar nga BE. Por, një ditë pas “progresit” në Bruksel amerikanët u kujdesën ta thonë atë që duhet të pasojë. Ata përmendën Asociacionin që duhet të implementohet me planin e veprimit, të cilin duhet ta dakordojnë Kurti e Vuçiq sa më shpejt.

Kryeministri Albin Kurti mund ta ketë krijuar mbrëmë një avantazh në sytë e ndërmjetësve duke insistuar që ta nënshkruajë planin franko-gjerman për të cilin s’ka më kundërshtime as në Kosovë as në Serbi.

Por këto pikë të fituara do të shpenzohen shpejt, sepse plani franko-gjerman varet nga një marrëveshje e moçme, që ‘fizikisht” nuk duket në tekstin e këtij plani, që përfundimisht u publikua mbrëmë nga Bashkimi Evropian.

Neni 10 i planit franko-gjerman ose propozimit evropian përmban formulimin se të gjithë marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe këtu marrëveshja e vetme për të cilën mendohet është Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe ose të cilën Kryeministri Kurti shpesh e përshkruan si “marëveshja më e dashur e Vuçiqit dhe të cilën “nuk e kërkojnë serbët e Kosovës, por Beogradi”.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Pikërisht kjo marrëveshje do të jetë edhe pjesa më e vështirë për t’u negociuar por që Përfaqësuesi i Lartë i BE’së Josep Borell konsideron se mund të përfundojë deri në fund të marsit për t’i hapur rrugë pastaj implementimit.

Spanjolli mbrëmë ka paralajmëruar bisedime intensive të cilat do t’i udhëheqë Miroslav Lajcak, duke udhëtuar në Kosovë e Serbi, ndërkohë që vetë Borell palët planifikon t’i takojë gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, më 18 mars.

Për analistin Bodo Weber, Asociacioni është qendra e kësaj marrëveshjeje pa të cilën.

“Nëse s’ka pajtim për Asociacionin, dështon gjithçka” ka thënë ai të martën për Gazetën Express.

“Sinqerisht nuk e di se cila është taktika negociuese e kryeministrit Kurti. Por nëse nuk ka marrëveshje për Asociacionin, nuk do të ketë marrëveshje për aneksin e zbatimit, pra nuk do të ketë fare marrëveshje, pavarësisht se çfarë është deklaruar mbrëmë”, ka theksuar Ëeber.

Për të mos lënë asnjë dyshim se cfarë pritet, emisari amerikan në bisedimet Kosovë -Serbi i cili ka qëndruar në Bruksel gjatë ditës kur janë zhvilluar negociatat, një ditë më vonë ka thënë se Asociacioni është një fakt objektiv.

“Dua të sqaroj çfarë kam thënë. Është obligim. Është pjesë e kësaj marrëveshje themelore. Është edhe në konkluzionet e Këshillit. Është një fakt objektiv. Se çfarë i kërkohet Kosovës. Pyetja është se sa shpejt do të ndodh. Jam konfident që me këtë marrëveshje që Kosova e ka kuptuar që duhet bëhet. Diskutimet për implementim duhet të fillojnë menjëherë” , ka thënë ai.

Ndryshe, edhe pse BE dje nuk mundi të shpallë marrëveshje, për “progresin” në Bruksel kanë reaguar disa shtete duke e përshendetur. Franca, Sllovakia, Maqedonia e Veriut etj. Kanë qenë disa nga vendet që kanë reaguar.

Përkrahës të Kurtit mbrëmë dhe sot kanë reaguar në mënyrë triumfaliste që në takimin e Brukselit nuk u pranua Asociacioni, por kjo është që kishte qenë në agjendë.

Mbi këtë, në të njëjtin vend, interesimit për Asociacionin iu përgjigj Zëvendëskryeministi Bislimi.

Ai atje eurodeputetëve u tregoi cfarë do është mekanizmi kokëcarës për Kurtin dhe Qeverinë e tij.

“Marrëveshjet e kaluara, që janë të ndërlidhura me Brukselin, e injoroj këtu planin e Ahtisaarit që ishte baza për deklarimin e pavarësisë, nuk bëjnë thirrje për ndonjë autonomi në veri. Marrëveshjet e kaluara vetëm e listojnë një mekanizëm që mundëson një koordinim midis komunave me shumicë serbe në një format të Asociacionit, i cili do të jetë një institucion joqeveritar që koordinon këtë mekanizëm. Por, kurrë nuk është parë si autonomi territoriale për ndonjë pjesë, në veri apo në jug” shpjegoi Bislimi gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian.

Derisa vetë Kurti nuk deshi të lëshohet në vlerësime për marrëveshjen duke i ftuar të gjithë ta lexojnë vetë atë, Presidentja Osmani i ka evindentuar pikët e vështira që janë pranuar duke e përmendur planin e zbatimit.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, tha shefja e shtetit në reagimin e saj.

PDK dhe LDK ishin të ashpër me Kurtin që e pranoi një plan që nuk siguron njohje dhe e ka në qendër Asociacionin.

Ish -kryemnistri Avdullah Hoto doli me vërejtje për preambulën e propozimit europian.

“Marrëveshja në preambulë përmban:

– Pika 2: “… për të kapërcyer trashëgiminë e të kaluarës”.

– Pika 4: “… pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”.

Të kapërcehet e kaluara pa u ballafaquar me të?!

Pa paragjykuar çështjet e statusit?!” shkroi ai.

Po ashtu nga LDK u tha se me këtë marrëveshje i falen Serbisë krimet e kryera në Kosovë.

Por, pikërisht, plani i zbatimit do të jetë momenti kyç.

Në këtë fazë pritet ta kuptojnë edhe ndërmjetësit edhe palët nëse mundi i investuar nga viti i kaluar do të shpaguhet.