VMRO-ja me dy gabime taktike pret degën e shpresës e rikthimit në pushtet!

– Ajo për të cilën VMRO duhet të shqetësohet është efekti PËRFUNDIMTAR që mund të arrijë me retorikën e saj, siç zaten ia bëjnë me dije kundërshtarët por dhe dashamirësit e saj. Në një situatë të tillë, udhëheqja partiake po i bën dëm vetes, që edhe në variantin më optimist të fitojë zgjedhjet, të mbetet parti e izoluar dhe pa pushtet!

/Analizë e portalit redakcija.mk/

Shumë gjëra kanë ndodhur kohët e fundit që e bëjnë delikat pozicionin e VMRO-së me një të ardhme të pasigurt.

Së pari, për hir të nevojave politike ditore, futi pa arsye retorikën “luftëtarake”. Edhe nëse nënkryetari i partisë, Alaksandar Nikollovski, nuk e ka menduar atë që e ka thënë, drejtpërdrejt apo figurativisht, mesazhi i tij në media ka hasur në dënim të ashpër. Një politikan i nivelit të tij, është e pashembullt të flasë apo aludojë për luftëra. A kanë shkuar gjërat aq larg sa që në dekadën e dytë të Shekullit 21, saqë dikush të mendonte të zgjidhte krizat politike në këtë mënyrë?

Kujt iu dërgua mesazhi, faktorit ndërkombëtar apo partive politike të shqiptarëve? Pse?
Gabimi i dytë i madh i Nikollovskit (qoftë në bashkëpunim me shefin e tij Mickovski, qoftë si vëzhgim personal), është rikthimi i strategjive politike të Gruevskit, përmes një “apeli” drejtuar votuesve për sigurimin e 61 deputetëve që të mos varej nga BDI(ushqim shpirtëror i bërjes politike të kësaj partie për momentin!), që u kuptua “qartë” në media si një mesazh për të mos u varur fare nga partitë politike të shqiptarëve. Pra, në vend të tyre, që nuk janë imperativ, sipas tij, të përfshihen shqiptarë të tjerë, pa bazë politike (ekspertë).

Çdo strategji politike është legjitime, do të thoshim, për aq kohë sa të çon në një qëllim të caktuar. Edhe ky i VMRO-së të kthehet në “mënyrën e vet të veçantë” mund të jetë ashtu.
Megjithatë, duhet të theksojmë se as Gruevski nuk veproi ashtu siç kishte premtuar! Ai kërkoi 61 deputetë dhe e kaloi atë numër, por megjithatë u ul dhe formoi qeverinë me partinë më të madhe të shqiptarëve. Sepse ai e dinte se ishte imperativ kushtetues sigurimi i dy të tretave të votës për funksionimin më të lehtë të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Pragmë e pastër, asgjë personale, përtej ndonjë diskursi emocional. Ai hodhi grepin, siguroi përkrahjen e mendjelehtëve të sinqertë për idenë manipuluese, por më pas veproi me logjikë të shëndoshë.
Por, thuhet se dy herë nuk mund të luash në të njëjtën kartë, është një bllof i pastër dhe do të të diktojnë. Dhe kjo mimikëri politike e VMRO-së vështirë se mund të kalojë pa ia kuptuar prapavijën demagogjike. Ose edhe më keq, për të dhënë një sinjal të qartë të mungesës së origjinalitetit në këtë kohë të turbullt politike, kur edhe opozitës i kërkohet të bëjë veprime shtetndërtuese dhe të mos i ikë përgjegjësive duke i përqafuar disa teza dhe qëndrime fataliste, me të cilat mëton të mashtrojë publikun.

Por ajo që duhet dhe duhet të shqetësojë VMRO-në është efekti PËRFUNDIMTAR që mund të arrijë, siç theksohet nga kundërshtarët dhe dashamirësit e tyre. Dhe kjo, se një aventurë e tillë do të përfundonte keq: e izoluar. Sepse, duke mprehur retorikën me ngarkesë të stërtheksuar emocionale me tema ndëretnike, kërcënon shanset e bashkëpunimit me partitë shqiptare. Është e qartë se VMRO-ja ende e mban inatin si nuse e tradhtuar në altar, por edhe atëherë (pas zgjedhjeve të 2016-ës), dhe tani nuk e kuptoi mesazhin pse ndodhi që dy partitë fituese të mos formonin qeverinë. Dhe kjo është se qasja izolacioniste, pra qëndrimi i ashpër i Greuvskit ndaj çështjes së emrit, nuk mund të zgjaste pafundësisht, por me zbulimi i aferave të mëdha korruptive në të cilat ishte përfshirë Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij, diçka që nuk mund të kalonte te partnerët ndërkombëtarë, e as te BDI.

Kthimi në të njëjtat taktika politike tani kërcënon realisht të ardhmen e partisë. Edhe pse dukej se Mickovski solli një frymë të re dhe madje tërhoqi dy parti shqiptare si partnere të koalicionit për zgjedhjet e fundit lokale (premtoi ndryshimin e kushtetutës dhe “heqjen” e kategorisë 20 për qind për gjuhën shqipe), Aleancën e Shqiptarëve dhe Alternativën Demokratike, por u pa se “zbutja” nuk mjafton për votuesit, ndaj këto parti u ndëshkuan pikërisht për shkak të VMRO-së. Dhe tani me rikthimin e kësaj retorike, ato shanse për koalicion, qoftë para apo pas zgjedhjeve, i zvogëlojnë edhe më shumë. Sepse dy gjëra janë të rëndësishme për partitë shqiptare dhe për shtetin: VMRO-ja me retorikën e saj, pozicionimi aktual politik i VMRO-së duket kërcënues për procesin e mosintegrimit në BE dhe së dyti, dërgon një mesazh të qartë se si e shohin pozicionin e shqiptarëvë (për të ulur rolin e tyre në shtet, dhe për të rrezikuar disa përfitime që ishin faktor barazie (shumica e Badenterit, përfaqësimi adekuat përmes të ashtuquajturit “balancues”).

Në një situatë të tillë, udhëheqja politike e VMRO-së po i bën shërbime të keq vetes, që edhe në variantin më optimist, të fitojë zgjedhjet, të mbetet e izoluar dhe pa pushtet! Prandaj është e pakuptueshme që dikush të presë me vetëdije degën që mban shpresën e rikthimit në pushtet.