Lumir Abdixhiku flet nga Parisi: Implementimi i marrëveshjeve të kaluara në pajtim me Kushtetutën s’ka alternativë


Abdixhiku në Paris: Implementimi i marrëveshjeve të kaluara në pajtim me Kushtetutën s’ka alternativë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku është ftuar për një vizitë zyrtare në Francë në një kohë mjaftë delikate dhe në një momentum kyç në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, gjë që nuk ishte parë prej vitesh.

Abdixhiku është takuar me zyrtarë francezë në tri institucionet më të larta atje, Pallatin Elysse, Senat dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, me të cilët ka biseduar për procesin e negociatave Kosovë-Serbi, dhjetë ditë para takimit të Ohrit.

Ai ka thënë se dialogu është një proces të cilin Kosova duhet ta trajtojë me prioritet si një mjet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obligative me njohjen në qendër.

Gjithashtu, Abdixhiku ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të kaluara në përputhje me Kushtetutën e Kosovës është rrugë pa alternativë.

“Implementimi i marrëveshjeve paraprake, konform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë. Kryetari Abdixhiku ka shtruar po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re, drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO; dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e LDK-së, raporton Express.

Dy partitë opozitare, LDK dhe PDK kanë qenë kritike për Kurtin lidhur me propozimin franko-gjerman. Vetë Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se në propozimin franko-gjerman s’gjendet asgjë prej atyre që Kurti i kishte premtuar me kornizën e tij për negociatat.

Një qasje kritike e opozitës në këtë fazë të procesit nuk është parë mirë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të cilët edhe s’kanë ngurruar që të bëjnë kritikë për PDK-në dhe LDK-në.