Teksa qeveria ka nisur një aksion konsultimi siç e quan kryeministri për të rritur dhe formalizuar pagat në treg, komuniteti i biznesit thotë se ky nuk duhet të jetë aksioni i radhës. Por nevojitet një reformë e thellë në mënyrë që të stimulohet ruajtja e fuqisë punëtore.
Alban Zusi, në emisionin E-ZONE tha se qeveria duhet të mendojë për një pakete stimuluese ndaj biznesit në funksion të rritjes së pagave.
“Kjo nuk bëhet me një apel për të rritur pagat e ulëta. Për mua pagat e ulëta nuk rriten duke kërkuar më shumë nga dhjami i biznesit. Rrogat e ulëta rriten duke u rritur pagat e mesme brenda vet biznesit. Unë do të doja që ky aksion të mos ishte thjesht aksioni i radhës, por një reformë e mirëfilltë në tregun e pagave. Reforma duhet të bazohet në një paketë konkrete stimuluese, ku një nga stimujt mund të jetë reduktimi I barrë së taksave mbi pagën”, u shpreh Zusi.
Aktualisht paga mesatare bruto në shkallë vendi është 66 mijë lekë me një rritje prej 10 % krahasuar me fund vitin 2021. Ritmet me të cilat po rritet paga mesatare është disa herë më e ulet se rritja që po aplikohet në pagën minmale e cila nga 1 prilli arrin në 40 mijë lekë bruto.