Khamenei: Irani nuk është “i zemëruar” me evropianët, mund të bashkëpunojmë

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se Republika Islamike nuk është “e zemëruar” me kombet evropiane dhe është e gatshme të punojë me to, nëse nuk “ndjekin verbërisht politikat amerikane”.

 

Në një fjalim në ditën e Vitit të Ri Persian, Khamenei i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane se kanë qenë mbrapa protestave të udhëhequra nga gratë, të cilat kanë nisur në shtator të vitit të kaluar.

 

Khamenei ka thënë se Perëndimi synon të izolojë Iranin, por që ky shtet i ka “forcuar lidhjet me Azinë 100 për qind, dhe do të vazhdojë ashtu”.

 

Sipas liderit iranian, marrëdhënia e Iranit me Perëndimin është “zbehur”, mirëpo “nuk jemi të zemëruar me Evropën, dhe jemi të gatshëm të punojmë me secilin shtet evropian, apo qeveri, që nuk e ndjek verbërisht politikën amerikane”.

 

Bashkimi Evropian dhe Britania kanë vendosur disa valë sanksionesh ndaj Iranit, për shkak se autoritetet iraniane kanë shtypur protestat e nisura qysh në shtator.

 

Protestat kanë nisur pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini sa ka qenë në mbajtje policore, e cila është ndaluar me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

 

Qindra njerëz janë vrarë, përfshirë dhjetëra pjesëtarë të personelit të sigurisë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar në protestat që Irani i ka cilësuar “trazira” të nxitura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.

 

Lideri suprem e ka përmendur edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, duke mohuar se Irani është i përfshirë në konflikt, pavarësisht akuzave të Kievit dhe aleatëve të tij, se Teherani e ka furnizuar Moskën me dronë kamikazë që janë përdorur për të shënjestruar civilët.

 

“Ne deklarohemi kundër pjesëmarrjes në luftën në Ukrainë”, ka thënë ai.

 

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/