Ahmeti – Xhaçka: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është garancia më e mirë e stabilitetit në Europë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot priti në takim ministren shqiptare për Europë dhe Punë të Jashtme, znj. Olta Xhaçka.

Rruga e integrimit europian, procesi i reformave dhe ndryshimet kushtetuese, zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe bashkëpunimi ekonomik ishin tema të bisedës mes Ahmetit dhe Xhaçkës.

Në tre dekada marrëdhënie diplomatike, Ahmeti e ka falënderuar Xhaçkën për partneritetin e shkëlqyer mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, ndërsa bashkëpunimi bilateral është vlërësuar në nivel por me nevojë të thellimit të bashkëpunimit në projekte të reja që janë në interes të të dyja vendeve.

Reformat që po zhvillohen në vend si dhe nevoja e ndryshimeve kushtetuese ishin gjithashtu temë e bisedës mes Ahmetit dhe Xhaçkës, si nevojë e patjetërsueshme që Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë procesin e integrimit europian, ndërkohë që Ahmeti e ka informuar Xhaçkën për frontin e përbashkët Europian që për qëllim ka finalizimin e këtij procesi me anëtarësimin e vendit në BE si alternativë e vetme.

Theksi gjatë bisedës është vënë edhe te procesi i integrimit europian pasiqë të dy vendet ecin në të njejtën rrugë dhe zhvillimi po bëhet në rritme të pandërprera përfshirë këtu edhe procesin e skriningut.

Ahmeti dhe Xhaçka diskutuan edhe mbi zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, si mundësi e vetme për paqe dhe prosperitet në Ballkan dhe me këtë rast u theksua mbështetje e fuqishme e Shkupit dhe Tiranës për zbatimin e plotë dhe joselektiv të dispozitave të kësaj marrëveshje.