Analistët: “Fronti për Europë”, lëvizje e guximshme dhe barrikadë ndaj ndikimit rus

“Fronti për Europë” është një lëvizje e guximshme, sigurisht që do të hasë në kundërshtarë, por dikush duhet ta thyejë akullin dhe dilet nga lëmi etnik”.

Kështu e ka komentuar iniciativën e liderit të Bashkimit për Integrim (BDI) – AliAhmeti për një aleancë të përbashkët të të gjitha partive politike në rrugën vendit drejt Bashkimit Evropian (BE), analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, AcoKabranov.

“Është një lëvizje e guximshme, sigurisht që do të hasë në kundërshtarë, por dikush duhet ta thyejë akullin dhe dilet nga lëmi etnik. Supozoj se do të ketë shumë sulme, sidomos nga maqedonasit që do të shkojnë në llogarinë e LSDM-së”, tha Kabranov për Indeks.mk

Në anën tjetër opinionisti Urim Saliu vlerëson se në Maqedoninë e Veriut prej kohësh ka pasur përplasje të ndryshme nga ndikime të shumta nga jashtë, por disi ato janë tejkaluar.

“Por ajo që është thelbësore, ka të bëjë me një ndikim të vjetër dhe të ri njëkohësisht që shpërfaqet në momente të caktuara dhe që duhet zënë rrugën. Ai është ndikimi rus që fatkeqësisht tenton të depërtojë edhe përmes partive të caktuara politike që ditën thirren se janë “pro BE” dhe “pro amerikane ” ndërsa në fakt realiteti është ndryshe. Këto parti që tashmë për opinionin dihen prej kohësh, kanë tentuar që të arrijnë këto qëllime edhe përmes disa partive shqiptare me pretekstin se po përmbysin qeverinë, por në fakt është diçka tjetër më e errët”, deklaroi Saliu për Indeks.mk

Këtë lojë, shton ai, partitë shqiptare vetvetiu ose jo e kuptuan dhe u tërhoqën nga kjo grackë.

“Fronti për Evropë tashmë është përballë një fronti tjetër pro rus që tenton të zgjerohet. Fronti për Europë më saktë nuk lejon të shtrinë ndikimi rus dhe me një fjalë është si një barrikadë që nuk e lejon të ketë sukses kjo, sepse Maqedonia e Veriut ose do shkojë drejt Evropës ose do futet në një humnerë ku do ta ketë të rëndë të ngjitet më prej aty. Qytetarët duan politika konstruktive që do tu përmirësojë atyre gjendjen ekonomike, punësimin, perspektivën dhe sigurinë në përgjithësi”, theksoi Saliu. (Indeks.mk)