Borrell: Kosova dhe Serbia të respektojnë të gjitha detyrimet, të nis sa më shpejt zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit


Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se Serbia dhe Kosova janë zotuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tha se BE pret që të dyja palët, ajo kosovare dhe serbe të respektojnë të gjitha detyrimet dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt.

Shefi i diplomacisë evropiane gjithashtu ka kërkuar që palët të shmangin çdo përshkallëzim të mundshëm.

“Serbia dhe Kosova u zotuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj. BE pret që të dyja të respektojnë të gjitha detyrimet prej saj dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim. Përkthimi i angazhimeve të tyre në rrugët e tyre evropiane është në vazhdim”, ka shkruar fillimisht Borrell.

Borrell ka përmendur edhe takimin e djeshëm në Bruksel mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, ku theksoi se marrëveshja që u arrit dje për personat e zhdukur është hapi i parë i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, përfundoi Borrell.