Fatmir Xhelili tregon dëshmitë kur BIK-u e ndihmonte financiarisht UÇK-në


Xhelili tregon dëshmitë kur BIK-u e ndihmonte financiarisht UÇK-në.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili, i ka treguar disa dokumente që dëshmojnë se Bashkësia Islame e Kosovës ka dhuruar shuma të majme parash për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas dëshmive të publikuara nga Xhelili, del se BIK-u e ka ndihmuar në raste të ndara UÇK-në me 83 mijë marka gjermane, njofton Klan Kosova.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka treguar se ka pasur relacion me udhëheqësit e BIK-ut.

“Në videon e postuar më parë, kryetari i BIK-t, Naim Tërnava, pohon se në janar të vitit 1999, mi ka dhënë 50.000 DM për UÇK-në”.

“Gjatë luftës kam pas relacion të afërt me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnava, me të ndjerin Rexhep Boja, kryetarin e atëhershëm të BIK-ut, me sekretarin e atëhershëm të Medresesë, Sylejman Osmani, Salih Jashari, Elez Osmani e te tjerë”.

“Udhëheqja e BIK-ut na ka ndihmuar në vazhdimësi. Naim Tërnava edhe në dy raste tjera më ka dhanë të holla, një herë 27.000 DM dhe një herë 5.000 DM. Këto mjete financiare kanë qenë shumë domethënëse e në kohë shumë të rëndësishme për UÇK-në, për çka kam qenë dhe jam shumë falënderues për udhëheqjen e BIK-ut dhe Naim Tërnaven”.