Pëllumbi: Tirana mbështetëse e fortë e PS, rritja e pagave nuk ka të bëjë me fushatën

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi i ftuar në Vizion Plus ka folur lidhur me periudhën parazgjedhore dhe masat e marra nga kjo forcë politike në përballjen e 14 majit me opozitën.

 

PS ka rikonfirmuar për të rikandiduar për një mandat tjetër 44 kryetarë aktual bashkie, pse kjo zgjedhje? Besoni në punët e mira të tyrë, në fuqinë që mund të kenë në elektorat dhe a i trembeni kostos politike që mund të kenë?

 

“PS është forca më e organizuar në vend dhe e ka filluar këtë proces shumë herët. Ne kemi një vit e gjysmë që përgatitemi për këtë fushatë elektorale, sapo mbaruan pushimet e fushatës së kaluar. Ka qenë një proces i gjatë konsultativ, por edhe nga krahu tjetër kontrollues. Në muajin tetor-nëntor të vitit të kaluar kryeministri zhvilloi një tur takimesh në të gjitha bashkitë e vendit, duke përfituar edhe nga momenti ku kryetarët e bashkive duhej të bënin konsultime publike për buxhetin e 2023, por edhe llogaridhënie për vitin 2022. Këtë proces e kemi nisur duke testuar në elektorat, nga ana tjetër kemi testuar edhe sondazhet në 61 bashki të vendit, por edhe strukturat e PS prej disa muajsh kanë punuar dhe kanë dhënë propozimet e tyre. Na ka rezultuar se një pjesë e madhe e krybashkiakëve që kemi sot ne detyrë janë të mirëpritur nga elektorati dhe kanë bërë një punë të mirë”, tha ai duke shtuar se nuk kanë munguar as prurjet e reja.

 

Bashkia kryesore është Tirana, konsiderohet kjo si gara e parë e vertëte e Veliajt, pasi në 2015 PS ishte në alencë me LSI, ndërsa në 2019 ishte përballë kandidatëve me një profil të ulët krahasuar me të?

 

“Në çdo fushatë elektorale ka aleanca, ka raste kur del vete apo ka raste kur ti je shumë mirë apo krahu tjetër është shumë mirë. Në përgjithësi në të gjitha fushatat, qoftë edhe në atë të 2015-ës, PS pavarësisht se ishte në alenca me LSI ishte mjaft e përgatitur dhe kishte mundësi që të dilte e vetme dhe të kishte elektoratin e vetë. Dihet që Tirana është një mbështetëse e fortë e PS dhe e kandidaturave që në kemi paraqitur”, theksoi ai. “2019-ta pavarësisht se ne ishim pa kundërshtarë, sërish ishte një sfidë për PS që të mund të nxirrte në zgjedhje njerëz, votues tanët, mbështetës tanët. Pavarësisht se ne e kishim të fituar do duhej të tregonim se ne kemi një qëndrueshmi në elektoratin tonë edhe në 2019 treguam se kemi një mbështetje nga elektorati në përgjithësi në Shqipëri dhe më tepër në Tiranë. Nga krahu tjetër në zgjedhjet e vitit 2021, ku gjithashtu Tirana si PS pati një rritje me gati 10% të numrit të votuesve që e mbështetën. Shpresoj që edhe në këtë fushatë të tregojmë se ne kemi numra të konsoliduar në mënyrë të veçantë në Tiranë, por besoj do ta tregojmë edhe në gjithë Shqipërinë”, shtoi ai.

 

Si i përgjigjeni zërave se jeni duke përdorur pushtetin për të maksimalizuar votat për 14 majin, duke rritur ndjeshëm numrin e administratës publike, duke dhënë shpërblime për pensionistët apo duke rritur pagat?

 

“Të gjitha këto janë akuza që normalisht i bëhen kujtdo që është në pushtet, cilado forcë politike që ka qenë në pushtet e ka pasur një lloj akuze të tillë. Në rast se ke frymë për të ndryshuar, për të sjellë rrotacion ti e sjell pavarësisht faktit se kush është në pushtet. Përsa i përket faktit të pensioneve dhe pagave, sigurisht këto janë diskutime që s’kanë të bëjnë me fushatën. Këto janë diskutime që kanë filluar, nëse iu e kujtoni vitin e kaluar kemi bërë dy herë rritje të pensioneve dhe kemi thënë që kjo do të vazhdojë sepse kanë të bëjnë me inflacionin e lartë si rezultat i luftës në Ukrainë dhe nga ana tjetër edhe të një situate e cila ka të bëjë ndoshta me të gjithë Ballkanin, ku qytetarët preferojnë të largohen nga vendi, në Gjermani apo ndonjë shtet tjetër, për të pasur një pagë më të mirë. Në përrputhje të këtyre dy faktorëve, inflacionit, por edhe të këtij fakti është e domosdoshme që ne të bëjmë një lëvizje në raport me pagat e pensioneve. Kjo nuk ka të bëjë me fushatën, kjo është një domosdoshmëri që e kërkon situata në të cilën ndodhet vendi”, tha ai.