Xhaçka pret homologun nga Emiratet e Bashkuara Arabe; në fokus investimet dhe marrëveshja për heqjen e vizave

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka,priti në një takim homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Ministrja Xhaçka vlerësoi ecurinë pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht intensifikimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, përmes investimeve konkrete, marrëveshjen e arritur së fundmi me palën emiratese për heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë që vizitojnë EMA, duke filluar nga data 19 prill 2023, dhe mbështetjen e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.

 

Në planin e bashkëpunimit shumëpalësh, Ministrja Xhaçka dhe homologu emiratas u ndalën te kontributi që të dy vendet po japin gjatë shërbimit të tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dy shtete anëtare që bashkëpunojnë dhe ndajnë kryesisht interesa dhe vlerësime të ngjashme për shumicën e krizave që janë në agjendën e KS të OKB-së.

 

Në përfundim, kryediplomatët shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajonet respektive, duke theksuar se fryma e zgjidhjes së konflikteve me bisedime është kontribut thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë.