“Hakmarrja” pas takimeve në SHBA të presidentes Ing-wen, Kina dërgon avion luftarakë pranë Tajvanit

Kina dërgoi anije dhe avionë luftarakë drejt Tajvanit të shtunën, njoftuan autoritetet tajvaneze, në shenjë hakmarrjeje për takimin ndërmjet Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe presidentes së ishullit të vetëqeverisur të Tajvanit, për të cilin Pekini thotë se është territor kinez.

 

Ushtria kineze njoftoi fillimin e patrullimit ushtarak tre-ditor, si një paralajmërim për tajvanezët që duan ta bëjnë të përhershme pavarësinë de facto të ishullit.

 

Të shtunën, tetë anije luftarake dhe 42 avionë u zbuluan pranë Tajvanit. 29 prej tyre fluturuan përgjatë vijës së ngushtricës që ndaj ishullin nga Kina, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit.

 

Ushtria kineze nuk dha asnjë sinjal nëse patrullimet mund të përfshijnë përsëritjen e stërvitjeve të mëparshme si lëshimi i raketave në det, çfarë patën shkaktuar ndëprerjen e tansportit ajror dhe detar.

 

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, së bashku me disa ligjvënës të tjerë, u takuan të enjten në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan në Kaliforni, me presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen, për të treguar mbështetje ndaj ishullit përballë kërcënimeve nga Kina.

 

Pekini u përgjigj të premten duke vendosur ndalim udhëtimi dhe sanksione financiare kundër grupeve dhe individëve amerikanë të lidhur me vizitën e Presidentes Tsai në Shtetet e Bashkuara.

 

Tajvani u nda nga Kina në vitin 1949 pas luftës civile. Partia Komuniste që udhëheq Kinën thotë se ishulli është territor kinez dhe ka paralajmëruar edhe marrjen me forcë nëse është e nevojshme.

 

Pekini pretendon se kontakti me autoritetet e huaja e inkurajon Tajvanin që kërkon formalisht pavarësinë, një hap që sipas udhëheqjes kineze mund të shkaktojë luftë./VOA/