Pse Levicës i pengon Korridori 8?

Me propozim të deputetëve të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, në procedurë parlamentare janë propozimet për ndryshime në nëntë ligje për pjesët e autostradave.
Nga Levica e Dimitar Apasievit thonë se me ndryshimet në Ligjin e Ndërtimeve, i hiqet kompetenca dhe u kalon përgjegjësia institucioneve përkatëse.

“Fjalë për fjalë, ata do të mund të ndërtojnë ku të duan dhe kur të duan, nën mburojën e quajtur ‘interes të veçantë’. E njëjta gjë parashihet edhe në Ligjin për Urbanizëm. Afatet për përgjigjen dhe marrjen e dokumentacionit të nevojshëm janë shkurtuar deri në absurditet, gjë që do të sjellë parametra të gabuar gjatë procesit të planifikimit. Pyjet, që do të gjenden në rrugën e Korridorit, do të priten pa mëshirë, në kurriz të zhvilluesit, por si “kompensim” për atë kosto, ai do të mund të marrë pyllin që ka prerë. Me këto projektligje BDI-ja dhe LSDM-ja u shpërndanë para kapitalit të huaj…”, thonë nga Levica.

Ndryshimet dhe plotësimet në nëntë ligje që lidhen me pjesët e autostradave që do të ndërtohen nga konzorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka” janë në procedurë parlamentare. Të gjitha ligjet ndjekin procedurë të shkurtuar dhe propozuesit janë një grup deputetësh nga shumica qeverisëse.

Në procedurë parlamentare janë ndryshimet dhe plotësimet në ligjet për tokën bujqësore, për shpronësimet, për urbanistikën, për ndërtime, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 (pjesa: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorit 10 d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir), pas një procedure të shkurtuar.(Indeks.mk)