James Rubin: Mund të arrihet paqja mes Kosovës dhe Serbisë


I dërguar i posaçëm amerikan James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë shërbeu si ndihmës sekretar i shtetit, ka thënë se është shumë e mundshme që mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet paqja.

Duke iu referuar marrëveshjes së muajit të kaluar mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian, ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, do të sjell një të ardhme më të mirë për njerëzit dhe rajonin.

Rubin, i cili ndodhet në Mal të Zi, ka thënë se këtë herë nuk planifikon të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd dhe ka folur për kampanjën e dezinformimit dhe manipulimit rus në Ballkan e veçmas në Malin e Zi.

“…por nuk do të funksionojë nëse nuk punojmë në këtë sfidë të dezinformimit dhe manipulimit të informacionit. Kjo do të thotë të punojmë në rrugë institucionale, të udhëheqim përmes strukturave qeverisëse, përmes shoqërisë civile, të punojmë së bashku për të zhvilluar mjetet që na duhen”, ka deklaruar Rubin, duke nënvizuar gatishmërinë amerikane për të punuar me qeverinë e re në Mal të Zi në luftën kundër dezinformimit.

Rubin, bashkërendues i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit amerikan të Shtetit, i bëri këto komente pas takimeve me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues partish politike me të cilët diskutoi përpjekjet e Rusisë dhe Kinës që duke përdorur dezinformatat të dëmtojnë demokracinë.

“Është një sfidë e madhe. Unë jam këtu në Mal të Zi, në Ballkanin Perëndimor, sepse ky është një vend ku dezinformimi ka pasur një ndikim të dëmshëm. Ka helmuar hapësirën e informacionit për njerëzit e këtij rajoni. Rusia do të donte ta kthente Ballkanin Perëndimor në një kohë konflikti, por ne kemi shumë shpresë tani”, tha Rubin, i cili pas Podgoricës do të qëndrojë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, që të tria vende anëtare të NATO-s.

“Nëse dezinformatat ruse dominojnë hapësirën këtu, do të jetë e vështirë të arrihet përparim. Ajo që kam dëgjuar nga udhëheqësit këtu dhe ajo që më ka inkurajuar, është se ata do të jenë të përqendruar te ne dhe te Bashkimi Evropian”, ka shtuar ai, duke theksuar se agresioni rus në Ukrainë i bëri gjërat “të qarta për të gjithë në këtë rajon”.

Të hënën, u publikua analiza e fundit e Qendrës Digjitale Ligjore të Podgoricës , e cila tha se autoritetet përgjegjëse do të duhej “t’i qasen seriozisht reduktimit të problemit të dezinformimit” në shoqëri.

“Bëhet fjalë për vullnet politik, pasi, pavarësisht ndalimit të transmetimit të Russia Today dhe Sputnik në territorin e Malit të Zi, është e mundur të hyni në portalet e tyre pa pengesa”, thuhet në analizën e Qendrës Digjitale. /voa