LSDM: VMRO-DPMNE me qëllim përhap gënjeshtra për Korridoret 8 dhe 10d

Nuk janë të sakta pretendimet e VMRO-DPMNE-së se shteti do të paguajë gjoba nëse pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve nuk kalohet në Parlament, thuhet në reagimin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë duke i përgjigjur pretendimeve të opozitares së VMRO-DPMNE lidhur me miratimin e ligjeve dhe plotësimeve ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8.

“Si me çdo marrëveshje tjetër ku Investitori dhe Kontraktuesi kanë të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe sipas marrëveshjes së lidhur, Kontraktuesi mund të punojë në kushte ku zbatohen dispozitat ligjore ekzistuese. Por në atë rast, afati i performancës do të ishte më i gjatë. Duke qenë se është një projekt strategjik me interes kombëtar, në vend që ndërtimi të zgjasë me vite dhe të kushtojë më shumë, është ofruar një zgjidhje që projekti të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër. VMRO-DPMNE-ja kriminale është e fundit që mund të kritikojë për këtë temë, sepse për shkak të komisioneve të zyrtarëve të tyre dhe projekteve të dështuara, autostrada Kërçovë-Ohër mbeti me vite të tëra, projekt ky që tani po ndërtohet intensivisht, e cili  i kushtoi shumë vendit”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Më tej në komunikatë thuhet se nuk është i vërtetë as pretendimi se ndryshimi i zgjidhjeve ligjore cenon të drejtat e punëtorëve.

“Së pari, bëhet fjalë për ndryshime të propozuara në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës që i referohen vetëm projekteve me interes strategjik dhe kombëtar. Së dyti, po flasim për një zgjidhje me të cilën punëtorët e ndërtimit që punojnë në këtë lloj projekti do të marrin kompensim 50% më shumë për çdo orë pune të dielën dhe do të marrin kompensim për punën jashtë orarit në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjin e Përgjithshëm, si dhe sipas kontratës kolektive për Sektorin Privat, për orët e punës jashtë orarit. Së treti dhe më e rëndësishmja, e gjithë kjo do të ndodhë vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të vetë punonjësit”, thonë nga LSDM

Sipas LSDM-së, kohët kur VMRO-DPMNE si parti në pushtet shkelte sistematikisht të drejtat e punëtorëve ka mbaruar dhe nuk do të kthehet më.

“Investimet në seksionet rrugore të Korridorit 8 dhe Korridorit 10 janë historikisht investimet më të mëdha në infrastrukturë, të cilat do të përfundojnë përfundimisht një projekt dhjetëvjeçar të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët”, vlerësojnë nga LSDm-ja.