Ministri Sveçla njofton se janë identifikuar personat që e sulmuan Valon Sylën, pritet arrestimi i tyre


Sveçla njofton se janë identifikuar personat që e sulmuan Valon Sylën, pritet arrestimi i tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla.

“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm.

Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme.

Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.

Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme”.