Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka bërë të ditur se e ka nisur një hetim lidhur me një video të publikuar në rrjete sociale, ku pretendohet se shihet një i burgosur ukrainas i luftës teksa i pritet koka.
SBU-ja njoftoi për nisjen e hetimeve të mërkurën, më 12 prill, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cilësoi forcat ruse si “bisha”, teksa komentoi këtë video. Videoja nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.
Kremlini e quajti videon “të tmerrshme”, por shtoi se vërtetësia e saj duhet të verifikohet pasi “ne jetojmë në një botë falsifikimesh”.
“Ka diçka që askush në botë nuk mund ta injorojë: sa lehtë vrasin këto bisha… ne nuk do të harrojmë asgjë, as nuk do t’i falim vrasësit”, tha Zelensky në një video-mesazh të publikuar në Twitter më 12 prill.
SBU-ja tha se, përmes hetimit, do të përpiqet ta zbulojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të luftës që thonë se “të burgosurit e luftës duhet gjithmonë të trajtohen njerëzisht”.
“Ne do t’i gjejmë këta të panjerëzishëm… ata patjetër që do të ndëshkohen për atë që kanë bërë”, citohet të ketë thënë kreu i Shërbimit ukrainas të Sigurisë, Vasyl Malyuk.
Më herët, Andriy Yermak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, kishte thënë në Telegram se “do të ketë përgjegjësi për gjithçka”.
Sipas mediumit amerikan CNN, një video e publikuar në rrjete sociale më 8 prill duket se tregon prerjen e kokave të kufomave të dy ushtarëve ukrainas, të cilët ishin të shtrirë pranë një automjeti ushtarak të shkatërruar. Videoja supozohet se është filmuar nga anëtarët e grupit privat mercenar rus, Wagner.
Raportimet në kanale ruse në rrjete sociale pohuan se videoja është xhiruar pranë qytetit në lindje të Ukrainës, Bahmutit, i cili është shkatërruar nga luftimet e ashpra që disa javë.
Një video tjetër e publikuar në rrjete sociale të martën, më 11 prill, dukej se tregonte pjesëtarë të forcave ruse që torturonin një të burgosur ukrainas, të cilit edhe ia prenë kokën. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto video.
Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “kjo është pamje e tmerrshme dhe së pari ju duhet ta verifikoni vërtetësinë”.
“Nëse vërtetohet, atëherë duhet të gjejmë se ku dhe nga kush është kryer veprimi”, tha ai.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se është “absurde” që Rusia aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa “terroristët rusë” kanë pushtuar Ukrainën.
Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë tha se është “tmerruar” nga “videot veçanërisht të tmerrshme”.
Ndërsa, BE-ja ka deklaruar se mbetet e përkushtuar për t’i mbajtur përgjegjës kriminelët e luftës.
“Ne nuk kemi më shumë informacion mbi vërtetësinë e videos. Por, nëse konfirmohet, ky është një tjetër përkujtim brutal për natyrën çnjerëzore të agresionit rus”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.
Që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Rusia është akuzuar për kryerjen e krimeve të ndryshme të luftës. Kremlini i ka mohuar këto akuza.
Muajin e kaluar, Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për ato që thanë se ishin ekzekutime pa gjyq të të burgosurve të luftës në fushëbetejë – si nga forcat ruse, ashtu edhe nga ato ukrainase.
Në fillim të muajit prill, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut votoi pro zgjatjes dhe zgjerimit të mandatit të një organi hetues që heton krimet e mundshme të luftës në Ukrainë.
Konventa e Gjenevës, ligji ndërkombëtar për trajtimin e të burgosurve të luftës, thotë se “çdo veprim ose mosveprim i paligjshëm nga forca ndaluese që shkakton vdekjen ose rrezikon seriozisht shëndetin e një të burgosuri të luftës në paraburgim është i ndaluar dhe do të konsiderohet si një shkelje serioze e kësaj konvente”./rel