FIZHT një hap më afër akreditimit në Fondin e Gjelbër të Klimatik (FGJK)

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, si institucioni i parë shtetëror i themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila do të nisë procesin e akreditimit në Fondin e Gjelbër Klimatik (FGJK), ka dorëzuar zyrtarisht aplikacion për akreditim në FGJK.

Me përfundimin me sukses të procesit të akreditimit, FIZHT do të bëhet institucioni i parë kombëtar i akredituar në Maqedoni, i cili do të mundësojë qasje më të madhe në financat nga FGJK të dedikuara për realizimin e prioriteteve të programit klimatik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe inkurajimin e inovacioneve dhe investimeve të gjelbra, me pronësi të plotë në procesin e financimit klimatik dhe integrimin më të mirë të tij me planet kombëtare të veprimit për klimën.

“Jam vërtet krenar për ekipin e FIZHT, i cili me mbështetjen e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), punoi shumë në periudhën e kaluar për të përgatitur një Analizë të honit (Gap analysis) në përputhje me kriteret e akreditimit të FGJK, si dhe përgatitjen e Planit të Veprimit për tejkalimin e honeve të identifikuara, si pjesë e procesit të dorëzimit të aplikacionit për akreditim nga FGJK. Me këtë hap, ne përfshihemi aktivisht në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe e bëjmë qartë të ditur se investimet e gjelbra janë fokusi i punës së Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në periudhën e ardhshme. Të gjithë duhet të ndërmarrim veprime konkrete për të mundësuar një të ardhme më të mirë për ne dhe gjeneratat e reja”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik është caktuar të jetë subjekti i parë kombëtar që do të fillojë procedurën për akreditim nga Fondi i Gjelbër Klimatik. Si institucion qendror për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme me mekanizëm të zhvilluar për krijimin e instrumenteve mbështetëse, FIZHT është një ent strategjik i përshtatshëm për t’u bërë subjekt me qasje të drejtpërdrejtë në FGJK nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në të cilën mënyrë do të ketë qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shfrytëzimin e mjeteve nga Fondi i Gjelbër Klimatik për të kontribuar në zbatimin e prioriteteve të programit klimatik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si fillim i përpjekjeve të FIZHT në drejtim të nxitjes së investimeve të gjelbra në sektorin privat, vitin e kaluar Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në bashkëpunim me Kabinetin e Zëvendës Presidentit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin me sektorët ekonomikë dhe investimet dhe FAO, shpallën thirrjen “Përballja me ndryshimet klimatike 2022”. Përfitues të mbështetjes financiare në vlerë të përgjithshme prej 7,5 milionë denarë janë pesë ndërmarrje vendore, të cilat tashmë kanë filluar me implementimin e zgjidhjeve të tyre inovative që do të mundësojnë zhvillimin e teknologjive, produkteve dhe/ose proceseve inovative, klimatike/të pastra që synojnë zbutjen ose reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.